Tuberkulozi, zbulohen 600 raste të reja çdo vit
Çdo vit në vendin tonë evidentohen rreth 600 raste të reja me sëmundjen e tuberkulozit. Zonat më të prekura mbeten zonat verilindore, ku Dibra, Shkodra dhe Kukësi kanë dhe numrin më të madh të rasteve. Por mjekët pranojnë se, me lëvizjen e popullatës sëmundja e tuberkulozit është shfaqur edhe në zona ku më parë nuk ekzistonte. “Të infektohesh nga kjo sëmundje nuk do të thotë të sëmuresh. Janë kushtet social-ekonomike dhe gjendja shëndetësore e vetë pacientit, ato që krijojnë terrenin për t’u sëmurur nga tuberkulozi”, sqarojnë mjekët e sanatoriumit. Ata bëjnë me dije se në përgjithësi kjo sëmundje shfaqet te personat që jetojnë në ambiente të ngushta, pa higjienë e me lagështirë dhe gjithashtu edhe te personat, të cilët janë të paushqyer mirë. Shenjat e para të shfaqjes së tuberkulozit janë dobësi e përgjithshme, djersitje e lehtë e të sëmurit dhe temperaturë deri në 37 gradë. “Risku i përhapjes së kësaj sëmundjeje është shumë i madh, pasi një i sëmurë mund të infektojë 10-12 persona të tjerë”, theksojnë mjekët. Bluzat e bardha nënvizojnë se në trajtimin e një të sëmuri ka shumë rëndësi rregullsia në mjekim, sepse vetëm duke ndjekur më përpikëri kurën për 6-9 muaj pacienti bëhet i parrezikshëm për ambientin. Gjithashtu, burim infektimi nga kjo sëmundje mund të jenë edhe të sëmurët me SIDA, pasi ulja e rezistencës së pacientit bën, që ata të sëmuren edhe nga tuberkulozi, duke u kthyer kështu në një “vatër” për infektimin e personave të tjerë. Me rritjen e numrit së të prekurve nga virusi HIV, në vendin tonë po rritet edhe numri i të infektuarave nga tuberkulozi. Për shfaqjen e rasteve me tuberkuloz në renditemi pas Greqisë, ndërsa Kosova, Maqedonia dhe Bullgaria kanë një numër më të vogël. Më parë zonat me tuberkuloz kanë qenë tepër të lokalizuara. Por me lëvizjen e popullatës sëmundja është prezent në të gjithë territorin. Mungesa e higjienës sanitare është një nga shkaqet kryesore që favorizon sëmundjen.