E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do japim tokë publike për hapjen e shkollave private

 

Tokë nga shteti për të hapur shkolla private. Kjo është nisma me e re e qeverisë për të mbështetur zhvillimin e arsimit. Kryeministri i vendit Sali Berisha tha dje në mbledhjen e Qeverisë se shumë shpejt do të përgatitet një kuadër ligjor që mbështet fuqizimin e pjesëmarrjes së sektorit privat në sistemin e arsimit kombëtar. “Zoti Ministër, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave, do të përgatisni kuadrin ligjor, ku, si hap fillestar, duhet të japim tokë për shkollat. Çdo vit që kalon shteti, cilido qoftë ai, në një vend që zhvillohet bëhet gjithnjë e më i vogël në raport me sektorin privat, fuqia e të cilit është e pakrahasueshme me shtetin dhe sektorin publik”, tha Berisha. Sipas tij, i duhet një frymëmarrje më e madhe sektorit privat dhe duhet të fillohet me identifikimin e tokës publike në zonat përreth Tiranës apo në zona të tjera e të ofrohet për shkolla, për universitete, shkolla profesionale. Praktikë kjo e afirmuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Unë do të vlerësoja këtu studimin e shpejtë dhe paraqitjen e një kuadri për pjesëmarrje akoma edhe më të gjerë të sektorit privat në sistemin e edukimit kombëtar. Koha është më e ngutshmja, ndaj duhet sa më shpejt të fillojmë me serinë e vendimeve”, u shpreh Kryeministri. Për krijimin e këtij kuadri, ai tha se do të studiohen praktikat e suksesshme të pjesëmarrjes më të gjerë të sektorit privat në arsim. “Qeveria do të studiojë praktikat e pjesëmarrjes më të thellë dhe një ndër këto vende është Kili, i cili, bazuar në parimet e shkollës së Çikagos, ia doli të realizojë pjesëmarrjen më të thellë”, tha kryeministri. Sipas tij duhet të nxitojmë, sikundër në sektorin shëndetësor. “Me qëndrime të integruara, të mos e shohim si të njerkës, por si një sektor të rëndësishëm në shërbim të qytetarëve. Sot ka një revolucion të vetëm dhe ky është revolucioni i shërbimeve, i cili duhet të ketë rezultat përfundimtar të drejtën e qytetarit për të zgjedhur shërbimin. Nuk mund të themi se kjo mund të bëhet me shpejtësi, por nuk ka qëllim më fisnik se të luftohet për të”, theksoi kryeministri. Disa kohë më parë qeveria premtoi gjithashtu heqjen e TVSH për arsimin privat, në mënyrë që ai të nxitet më tej në vendin tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›