Lushnje, vetëhelmohet nga varfëria 57-vjeçari
Hasan Shehu, baba i dy fëmijëve ka pirë fostoksinë pas konsumit të alkoolit: Mbijetesa e pamundur
Lushnje-I ka dhënë fund jetës me fostoksinë, nën efektin e alkoolit për shkak të varfësisë së tejskajshme ekonomike. Hasan Shehu, 57-vjeç, nga komuna e Grabianit ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pas pirjes së fostoksinës në banesën e tij. Sipas burimeve zyrtare të policisë, 57-vjeçari, i martuar, me dy fëmijë, i ka dhënë fund jetës, ndërkohë që kishte siguruar më parë helmin. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se, dy ditë më parë, Shehu, kishte pirë raki në shtëpi dhe pa kaluar kufirin e dehjes ka marrë dy kokrra fostoksinë. Mendohet se plani ka qenë mirë i thurur prej tij, pasi konsumin e helmit e ka bërë pa rënë në sy të familjarëve dhe në qetësi të plotë, i bindur për veprimin që do të bënte. Familjarët e kanë parë se ai nuk ndihej mirë, por thjesht e kanë pyetur se çfarë shqetësimi kishte. Pasi kanë parë se ai jo vetëm nuk përmirësohej, por sa vinte dhe rëndohej nga shëndeti kanë nisur të alarmohen. Të shqetësuar nga gjendja shëndetësore, familjarët e kanë transportuar atë me urgjencë në spitalin rajonal të Lushnjes. Aty janë drejtuar në urgjencë dhe kanë kërkuar t'i jepej ndihma e shpejtë. Mjekët e spitalit, pasi e kanë parë nga afër pacientin, kanë deklaruar prerë se në këtë rast kanë të bëjnë me një vetëhelmim. Analizat paraprake kanë vërtetuar se babi i dy fëmijëve kishte pirë fostoksinë dhe ishte pikërisht efekti i helmit të fortë që e kishte çuar 57-vjeçarin në atë gjendje kritike për jetën. "Në teshat që kishte veshur i gjetëm edhe dy kokrra fostoksinë, veç atyre që kishte gëlltitur"- kanë thënë mjekët e spitalit. Ai është future në terapi intensive, por megjithë ndihmën e dhënë nga mjekët efekti i helmit ka qenë shumë i shpejtë dhe ai nuk ka mundur të shpëtojë, edhe pas reanimacionit. E njoftuar për ngjarjen, policia ka marrë dëshmitë e para të familjarëve dhe të personave të tjerë që kishin kontakt me viktimën e vetëhelmimit. Sipas të dhënave paraprake të policisë lokale, mësohet se shkak i vetëhelmimit ka qenë gjendja e rënduar ekonomike e familjes Shehu. Fqinjë të familjes pranojnë se familja Shehu bën një jetë në kushtet e krizës së thellë ekonomike dhe për vështirësitë që kalon njihet edhe në komunë. Vetë 57-vjeçari ka deklaruar sa herë, në bisedat e tij zhvilluar me banorët e zonës se ai e kishte shumë të vështirë të sillte të ardhura në familje, madje e kanë pasur gati të pamundur mbijetesën.