E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, asnjë gjurmë nga zhdukja e 16-vjeçares

Prej 4 ditësh, Fiorenza Z, nxënëse e vitit të dytë në Vlorë rezulton e zhdukur pa gjurmë
Sipas policisë, dyshimi më i fortë është për një largim të sajuar të vetë vajzës. Është larguar edhe më parë
Vlorë-Asnjë gjurmë nga gjimnazistja 16-vjeçare e zhdukur para katër ditësh në Vlorë. Familja është vënë në alarm serioz, por nuk ka dhënë shumë mundësi ndihme për policinë, e cila ka shpërndarë foton e vajzës gjithandej dhe ka nisur kërkimet me intensitet. Një zhdukje e organizuar nga vetë vajza mbetet dyshimi kryesor i policisë. Dyshim, i përforcuar nga fakti se vajza është larguar edhe herë të tjera nga shtëpia, duke sajuar skena rrëmbimi e duke kërkuar para në këmbim të lirimit.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Vlorës, pavarësisht kërkimeve dhe punës intensive që kanë zhvilluar agjentët e policisë, për vajzën nuk ka asnjë gjurmë. Sipas hetimorëve është punuar në vijimësi me informacione me pikat kufitare, por edhe sektorë të rretheve. "Janë lajmëruar të gjitha rrethet për rastin në fjalë dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm. Kemi shpërndarë foton e vajzës dhe të dhënë të tjera për të",- thonë burimet. Edhe dje, kanë vijuar të grumbullohen informacione nga familjarë e të afërm, por ende policia nuk ka bërë të mundur identifikimin e vendndodhjes së adoleshentes. Burimet policore bëjnë me dije se pas lajmit për zhdukjen e vajzës është paraqitur në komisariat një grua në moshë, e cila ka thënë se e ka parë adoleshenten në Tiranë. Kërkimet janë inkuadruar edhe në këtë drejtim, por deri tani, sipas burimeve nuk është mbërritur në ndonjë të dhënë që lidhet me ekzistencën e vajzës atje.
 
Hetimi nuk ka nxjerrë ende pistën e saktë, largim me dashje apo jo, duke shtuar pikëpyetjet para hetuesve. Pavarësisht kësaj, burime pranë policisë kanë theksuar dje se dyshimi më i madh është ai i një largimi nga vetë vajza. Rrëfimet e të njohurve të 16-vjeçares kanë ngritur dyshimet e forta të policisë në sajimin e një rrëmbimi të mundshëm nga vetë vajza. Kjo, sipas tyre nuk përjashton edhe të tjera pista, të cilat janë gjithsesi në hetim. Mësohet se dje prindërit e 16-vjeçares Fiorenza Z, janë interesuar sërish në polici, por janë treguar të rezervuar për të dhënë detaje. Ata kanë bërë më tepër të paditurin edhe për rastet e mëparshme të largimit të vajzës. Babai i saj, ka dëshmuar hapur në polici frikën e një trafikimi të mundshëm dhe për këtë ka kërkuar ndihmën e policisë.
Zhdukja
Mister i plotë lidhur me zhdukjen e papritur të 16-vjeçares, vendndodhjes apo mënyrës se si ka ndodhur. Vajza, nxënëse në vitin e dytë të shkollës së mesme të përgjithshme, "Mustafa Qemal Ataturk", mësohet të ketë dalë nga shtëpia mëngjesin e datës 14 janar, duke u nisur si zakonisht për në shkollë, por në drekë nuk është kthyer më prej saj. "Vajza u nis në 7.30 me çantë e rrobat që shkonte zakonisht në shkollë dhe ka qenë e qetë",- mësohet të kenë thënë në polici familjarët. Kalimi i orëve, kohë në të cilën zakonisht vajza kthehej nga shkolla në shtëpi, ka shtuar merakun e familjarëve. Megjithatë ata kanë pritur një ditë për të trokitur në dyert e policisë. Kështu, vetëm një ditë pas zhdukjes, ata kanë bërë denoncimin në polici, pasi shpresonin që vajza të rikthehej në shkollë. Pasi kanë pyetur sërish në shkollë dhe kanë marrë vesh se vajza as një ditë më vonë nuk ka qenë në mësim, familjarë kanë njoftuar në policinë e Vlorës, duke ua besuar gjetjen e vajzës organeve të rendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›