Prokuroria: Burg me afat për të arrestuarit e Kurum-it
Të arrestuarit për tragjedinë do rrinë në qeli deri në rezultatet finale të ekspertëve për shpërthimin
ELBASAN- Tre të arrestuarit për tragjedinë e Kurum-it, ku humbi jetën një punëtor dhe u dëmtuan 10 të tjerë, ende nuk kanë marrë vlerësimin e masën e sigurisë në gjykatë. Murat Filiz, 33-vjeç; Adem Unlu, 47-vjeç dhe Engjëllush Zaimi, 47-vjeç, akuzohen për neglizhencë dhe mosmarrjen e masave për sigurimin teknik të punëtorëve. Ata vazhdojnë të mbeten në qelitë e paraburgimit në pritje të vlerësimit të masës së sigurisë në gjykatë. Ndërkohë burime nga prokuroria bëjnë të ditur se materialet janë dërguar në gjykatë. "Për tre të arrestuarit do të kërkohet burgim me afat, deri në mbërritjen e rezultateve përfundimtare të ekspertëve nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe ekspertë të mjekësisë ligjore",- bëjnë të ditur burimet. Sipas të dhënave, mësohet se ekspertët janë duke punuar për përfundimin e raportit për të përcaktuar shkaqet që sollën shpërthimin e furrës. Firmës Kurum i është komunikuar dy ditë më parë urdhri për mbylljen pa afat të Uzinës së Shkrirjes së çelikut deri në plotësimin e parametrave optimalë për sigurinë e punëtorëve. Aktualisht janë rreth 300 punëtorë, që nuk janë rikthyer në punë në Uzinën e shkrirjes. Plotësimi i kushteve teknike për sigurinë e jetës së punëtorëve ka qenë edhe kërkesa e tyre e përbashkët, duke u solidariazuar me familjen e viktimës dhe të të dëmtuarve në këtë aksident të rëndë në punë.