E Diel, 1 Nëntor 2026

Koncerti festiv, bashkë Berisha, Topalli dhe Topi

Duke e cilësuar si ngjarjen më të madhe historike, Presidenti Bamir Topi përshëndeti dje në njëvjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e vlerësuar si ngjarje historike për shqiptarët. Ai falënderoi vendet që i besuan Shqipërisë dhe i mundësuan asaj realizimin e kësaj aspirate. Kombi shqiptar, një vit më parë, përjetoi ngjarjen më të madhe në historinë e tij, anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Sigurisë dhe të Paqes, në NATO. Sot ne festojmë njëvjetorin e kësaj ngjarjeje, duke shprehur mirënjohjen për të gjitha vendet anëtare të Aleancës, që besuan në forcën tonë, në angazhimin tonë, në vendosmërinë tonë, në seriozitetin tonë, në ëndrrën tonë dhe në aspiratën tonë për të lënë përfundimisht mbrapa të kaluarën historike dhe për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët të kombeve të lira të botës së qytetëruar, - tha Topi.
Presidenti përgëzoi Forcat e Armatosura për pjesëmarrjen në misionet paqeruajtëse, ndërsa u shpreh krenar për punën e tyre. Forcat tona të Armatosura së bashku me trupat e tjera të Aleancës po përballojnë me kurajë dhe profesionalizëm një nga sfidat më të mëdha të saj për të vendosur paqen, sigurinë dhe rendin demokratik në Afganistan, për të cilat ne jemi shumë krenarë. Ne do të mbetemi të vendosur në angazhimet tona dhe në përgjegjësitë tona dhe se anëtarësimi në NATO na bën më të përgjegjshëm ndaj sfidave tona të brendshme dhe të jashtme, por edhe më të sigurt se nuk jemi vetëm në përballjen e tyre. Ne jemi së bashku me vendet dhe popujt e lirë të botës së qytetëruar, - tha Topi. Presidenti i vendit falënderoi edhe popullin shqiptar, i cili luftoi me diktaturën, duke shtuar: Është dita për tu përulur ndaj kujtimit të atyre që luftuan dhe dhanë jetën që kombi shqiptar të jetojë ëndrrën e vet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›