E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e 2 Prillit, Kuvendi përkujton viktimat

Kuvendi përkujton masakrën e 2 Prillit, ku humbën jetën 4 të rinj. Në ceremoninë e veçantë për anëtarësimin e 1-vjetorit të Shqipërisë në NATO, me të rinjtë dhe të rejat, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, me respekt dhe nderim të thellë, përkujtoi të rinjtë shkodranë të ekzekutuar nga regjimi komunist. Duke vlerësuar veprën e tyre heroike në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, kryetarja Topalli theksoi se sot, pas 20 vitesh, ëndrra e tyre për një Shqipëri evropiane është shndërruar në realitet. Në këtë përvjetor të ngjarjes historike të Shqipërisë në NATO, unë nuk mund të rri pa përmendur edhe një përvjetor tjetër, 2 Prillin, i cili më kujton atë ditë të vështirë, kur katër të rinj, ndonjëri pak mbi moshën tuaj, të tjerët pak a shumë sa ju, u vranë në Shkodër, sepse kërkonin lirinë dhe kërkonin rrëzimin e komunizmit. Le të nderojmë kujtimin e 2 Prillit të këtyre katër të rinjve. Të mbajmë një minutë heshtje për ta,- u shpreh kryetarja Topalli.
Në nderim të thellë të veprës së katër Dëshmorëve të Demokracisë, Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Besnik Cekës dhe Nazmi Kryeziut, kryetarja e Kuvendit ftoi të rinjtë dhe të rejat të mbanin një minutë heshtje. Tashmë është një ritual i zakonshëm që dita kur nga Komiteti i Partisë në Shkodër është qëlluar me armë dhe jo vetëm janë plagosur sipas të dhënave të kohës afër 90 persona, por u vranë në mënyrë makabre katër qytetarë të Shkodrës e për më tepër të rinj, të kthehet në ditë përkujtimore. Shoqata e 2 Prillit ka kërkuar që katër dëshmorët e 2 Prillit të gjejnë vendin e tyre në histori, sepse kjo është më e pakta që mund të bëhet. Pikërisht duhet të jetë historia ajo që duhet të tregojë më me imtësi edhe ngjarjen, sepse nga drejtësia kjo ngjarje nuk ka marrë vendin e duhur.
Në përkujtim të të rënëve të 2 Prillit është organizuar dhe një protestë para ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha në Tiranë. Qendra mediatike Kurajo ka përkujtuar katër të rinjtë shkodranë në protestën me sloganin Bllok kundër bllokmenëve. Protesta është ilustruar me fotot reale ku tregohen qartë faktet historike, të cilat janë domethënëse edhe për situatën që po jetojmë pas 19 vjetësh. Të rinjtë e qendrës Kurajo gjatë fjalës së tyre theksuan se janë pikërisht po ata njerëz që kryen tragjedinë e djegies dhe vrasjes së të rinjve të paarmatosur në Shkodër në prillin e vitit 1991, të cilët çuditërisht edhe sot flasin në emër të demokracisë. Drejtuesi i qendrës, Hamza Hatika, u shpreh se historia akuzon dhe vërteton se fajtorët akoma të pandëshkuar, të paktën moralisht, për tragjedinë e rëndë mbi Shkodrën martire, duhet të jenë të vetëdijeshëm për krimet e kryera nga ata vetë apo nga paraardhësit biologjikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›