Anëtarësimi në NATO, Imami: Jo fundi i reformave
Për ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, nuk përbën fundin e procesit të reformimit të Forcave të Armatosura Shqiptare, që të përballen me sfida të reja. Ai vuri dje në dukje se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë, duke ndjekur politikën e dyerve të hapura për anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit në aleancë. 1-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO u festua dje në Tiranë me një sërë aktivitetesh të organizuara nga Ministria e Mbrojtjes. Shqipëria me hyrjen në këtë aleancë për herë të parë në historinë e saj kombëtare e ka të garantuar çështjen e sigurisë. Për këtë, Republika e Shqipërisë është e gatshme të japë kontributin e saj brenda kësaj aleance. Pa dyshim që nuk është një parakusht legal dhe i shkruar, por fakti ka treguar që vendet janë anëtarësuar fillimisht në NATO dhe mandej në BE. Besoj që ky është një hap i sigurt drejt integrimit të plotë evropian të Shqipërisë, - tha z. Imami. Gjatë aktivitetit, në sheshin qendror të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, u zhvillua ceremonia e dekorimit nga ministri i Mbrojtjes të një njësie ushtarake dhe të disa ushtarakëve e punonjësve civilë për kontributin që kanë dhënë për anëtarësimin në NATO, si dhe gjatë operacionit për përballimin e situatave emergjente të krijuara gjatë muajit janar të këtij viti në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës.