Koncerti magjik
“Kënga magjike” më shumë po quhet si një koncert magjik, ku ftohen të marrin pjesë këngëtarë, sesa festival i garave.
Pasi që stina e vjeshtës ka filluar dhe është koha e festivaleve dhe këngëtarët nuk kanë një agjendë të ngjeshur, ata mendojnë për festivale, por ja që shumë prej tyre nuk janë të kënaqur.
Të dielën e kaluar festivali “Kënga magjike 2011” ka filluar të transmetohet në “E diela shqiptare” në TV Klan, por kritikat kanë filluar menjëherë nga këngëtarë të ndryshëm, sidomos nga këngëtarët e rinj.
Hysni Zeqiri, aktor dhe këngëtar, ka thënë për Express se edhe pse ka ndjekur të gjitha procedurat e konkurrimit në këtë festival, ai jo vetëm që nuk është pranuar, por nuk i është dhënë as ndonjë arsyetim pse kënga e tij nuk do të marrë pjesë në “Kënga magjike”.
“E kam dërguar gjatë kohës sa ka qenë i hapur konkursi. Nuk me kanë treguar arsyen pse nuk është pranuar kënga, madje as përgjigje zyrtare nuk kam pasur nga zyrtarët e festivalit”, ka thënë Zeqiri për Express. Sipas tij, “këngëtarët që marrin pjesë në këtë festival thonë me rëndësi pjesëmarrja, por festivali më shumë do të mund të quhet si koncert magjik sesa si këngë magjike, pasi që në festival Arditi fton këngëtarë të njohur, gjë që humbet edhe shija e një festivali garues”.
Shije të hidhur vitin e kaluar ka pasur edhe këngëtarja Linda Halimi, të cilës bashkë me Nora Istrefin i ishte ndaluar që të merr pjesë tri vite në këtë festival.
Një vit më pas, Linda thotë se nuk është e interesuar të flet për të kaluarën. “Mendoj që ai e ka etikën e vet dhe ne ndoshta e kemi prish pak që jemi vonuar, por kemi pasur shkak. Përderisa një vit më parë kur kam kënduar e vetme më ka shpërblyer dhe mandej ka thënë se nuk jam sjell mirë as një vit më parë, mendoj se Arditi e ka pasur gabim”.
Halimi thotë se megjithatë ndoshta ka pasur shkelje në zgjedhjen e fituesit sepse nëse merren ata që fitojnë, shumë pak mund të konsiderohen si konkurrentë të denjë.
Ditë më parë, në një të përditshme, për mospjesëmarrje ka reaguar edhe një këngëtare tjetër e re. Bukuroshja dhe këngëtarja Drenusha Latifi kishte thënë për një të përditshme kosovare se në “Kënga Magjike” këngët pranohen me “njoftësi”.
“Tani kam përshtypjen se edhe në festivalin ‘Kënga Magjike’ po manipulohen këngëtarët. Për herë të dytë desha të marr pjesë në këtë festival, për të cilin kam pasur përshtypje të mira deri më tani, mirëpo tash jam e zhgënjyer”.
Zakonisht Ardit Gjebrea më parë e kishte përdorur një praktikë, ku kishte ftuar këngëtarët e njohur të estradës për të kënduar në këtë festival, duke ia humbur pak a shumë sensin e garës që e ka një festival kënge, madje shumicës prej tyre u kishte premtuar edhe çmime.
Në ditën e parë, të dielën e kaluar në këtë ishin paraqitur edhe disa këngëtarë të rinj dhe të panjohur më parë si; Lynx - Është për ty kjo melodi; Adelina Tahiri - Ti mos u kthe; Klevis Saliaj - Kur perëndoj; Beatrix Ramosaj – Dilema; Grifshat - Jashtë lëkure nuk do dal dhe Devis Xherahu – Akoma s’e besoj. Të gjithë këtë janë emra shumë pak të panjohur, gjë që ka nxitur thashetheme se në këtë festival tashmë dallaveret dhe fituesit vetëm janë shpallur, por ‘kinse’ spektakli për zgjedhjen e më të mirit vazhdon.