E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncesionari i naftës, i pakënaqur me tarifën e re

Një kompani e vogël irlandeze, e cila synon të kërkojë naftë dhe gaz në detin Adriatik pranë Durrësit njoftoi së fundmi se "është duke rinegociuar kushtet fiskale me qeverinë shqiptare" për shkak se ajo vendosi një tarifë eksporti për lëndët e para të nxjerra nga nëntoka shqiptare nga kompanitë koncesionare. "Kompania shpreson që kontrata e rinegociuar për ndarjen e prodhimit do të miratohet së shpejti nga Këshilli i Ministrave", - njoftoi një agjenci e specializuar informacioni e fushës së hidrokarbureve.

Shqipëria vendosi gushtin e kaluar një "tarifë koncesionare" nga 2 në 10 për qind për të gjitha mallrat e eksportuara, pasi u ankua se shumë biznes po bëhej nga kompanitë koncesionare, por përfitimi i vendit ishte i papërfillshëm. Gjatë bumit të madh të çmimeve të mineraleve, vitet 2007-2008, eksportet shqiptare u shumëfishuan. Por nga biznesi i rritur, në Shqipëri vijuan të mbeten vetëm një pjesë e vogël e xhiros në formë pagash, ndërkohë që kompanitë private arrinin të zeronin fitimet e taksueshme përmes deklarimit të investimeve të paqena dhe tërheqjes së fitimeve reale në formë fondi amortizimi. Për pasojë, qeveria vendosi tarifën e rentës minerare. "Island Oil" është e vetmja kompani që është ankuar për këtë taksë deri tani. Ajo synon të shohë mundësinë e komercializimit të një burimi që ishte zbuluar për herë të parë në vitin 1993 pas një ekspedite kërkimore të kryer nga konsorciumi Chevron/Agip. Konsorciumi hoqi dorë nga shfrytëzimi i burimit të zbuluar për shkak të çmimeve të ulëta të naftës në atë kohë. Koncesionari i ri synon të thellojë më shumë pusin e hapur në vitin 1993, me shpresë se do të arrijë në një burim më të madh. Shumë kompani të huaja kanë kërkuar dhe zbuluar burime të reja nafte në Shqipëri, por në asnjë rast, zbulimet nuk kanë qenë të mjaftueshme për të justifikuar kostot e nxjerrjes së naftës. Mes gjeologëve ekziston një legjendë që thotë se Shqipëria lundron mbi naftë. Puset ekzistuese janë në thellësi të ulët, më i thelli është në fshatin Mollas (rreth 3700 metra). Kompanitë e huaja kanë shpuar deri në 5 mijë metra në kërkim të "burimit të madh", i cili deri më sot ekziston një legjendë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›