Dështon reforma zgjedhore, PD-PS larg konsensusit
Luis Tanushi
Grupi i punë i ngritur nga parlamenti për ndryshimin e Kodit Zgjedhor nuk ka arritur të bjerë dakord për të përfunduar punën. Burime brenda mbledhjes bëjnë të ditur se demokratët dhe socialistët vijuan të ruajnë qëndrimet e tyre të mëparshme. Ajo që mësohet është se nuk do të ketë shtyrje të afatit të punimeve të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Të mbledhur që në orën 17:10, anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore për rreth pesë orë diskutuan për raportin që do ti dërgohet Kuvendit për nenet e miratuara dhe pikat në të cilat palët nuk kanë rënë në konsensus. Por, grupi i punës do të dalë me dy raporte të ndryshme që do të hartohen nga Damian Gjiknuri dhe Ilir Rusmali. I mbetet Kuvendit që do të shqyrtojë në tërësi draftet e paraqitura për të kaluar më pas në seancë plenare dhe për të përfunduar tërësisht procesin mundësisht brenda datës 24 maj.
Pikat e nxehta
Tre janë pikat e nxehta për të cilat PD-ja dhe PS-ja nuk arrijnë që të gjejnë gjuhën e përbashkët. Çështja që konsumoi kohën më të madhe ishte përfshirja e teknologjisë në zgjedhje e cila ishte miratuar më parë nga demokratët. Edhe pse të djathtët kanë dhanë më parë pëlqimin për kontrollin elektronik të dokumenteve të identifikimit të zgjedhësve dhe për numërimin elektronik të fletëve, papritur u tërhoqën duke hedhur poshtë draftin e miratuar më parë me justifikimin e rekomandimeve të ODIHR-it për të zbatuar teknologjinë vetëm në zona pilot. PS-ja pranoi propozimin e të djathtëve që numërimi i votave të realizohet në disa zona pilote, por mbrojti me forcë identifikimin elektronik të zgjedhësve në të gjithë Shqipërinë.
Sipas tyre, duke marrë shkas nga zgjedhjet e fundit ku votuan zgjedhës me mjete identifikimi të falsifikuara, në çdo qendër votimi duhet të vendosen pajisje që do të mundësonin identifikimin e kartave të identitetit. Ndryshime nga drafti fillestar u kërkuan në nenin 100/3, ku përcaktohet që të dhënat e kartave transmetohen direkt në qendër. Të majtët kërkuan që rrjeti të jetë offline për të mbrojtur të dhënat e zgjedhësve që mund të transmetohen ditën e votimit në qendrat e tjera për të shmangur manipulimet. Lidhur me dy pikat e tjera të nxehta, si përbërja e KQZ-së dhe procesi i ankimimit, anëtarët e grupit të punës nuk arritën rezultate edhe pas një pushimi të gjatë prej tre orësh, kohë gjatë së cilës ekspertët, Bledi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi vijuan punën për të gjetur një zgjidhje të momentit të fundit. Opozita kërkon që gjashtë prej anëtarëve të KQZ-së të zgjidhen sipas skemës aktuale, ndërsa anëtari i shtatë, të zgjidhej nga gjyqësori.
Të majtët propozojnë që Avokati i Popullit, Dhoma e Avokatëve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë apo dhe Gjykata e Lartë ti përcjellin Kuvendit nga dy emra. Më pas me konsensus, në seancë plenare do të kalojnë vetëm dy prej tyre të cilët do ti nënshtrohen procesit të votimit. Edhe pse kanë rezerva, socialistët kanë paraqitur edhe një variant të dytë ku Presidenti të ketë të drejtën e propozimit të anëtarit të shtatë. Gjithsesi, të majtët i druhen kësaj formule, pasi ende nuk dihet emri i ri i Kreut të Shtetit. Për të djathtët, ndryshimi i formulës së KQZ-së është e papranueshme pasi nuk përputhet me rekomandimet e ODIHR-it dhe do të cenonin rëndë Kushtetutën.
Sipas demokratëve, nuk mund të ndërpritet mandati i anëtarëve aktualë të KQZ-së me miratimin e Kodit nga Parlamenti, por duhet të pritet përfundimi i mandatit në dhjetor. Demokratët refuzojnë që të hedhin një formulë se si mund të ndryshojë përbërja e KQZ-së. Çështja e tretë e debatueshme, për të cilat PD dhe PS nuk ranë dakord, lidhet me procesin e ankimimit. Të majtët kërkojnë që kutitë të hapen pas kërkesës së bërë nga dy prej anëtarëve të KQZ-së, ndërsa demokratët këmbëngulin që ato të hapen vetëm pas fakteve dhe provave të mbledhura për shkelje.
Largohet Rusmali
Gjatë debateve të ashpra bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Ilir Rusmali u tërhoq nga mbledhja në shenjë revolte rreth orës 9.20. U desh ndërhyrja e bashkëkryetarit socialist, Damian Gjiknuri që të rikthente përsëri në mbledhje kolegun e tij për të vijuar edhe disa minuta më tej për të gjetur një zgjidhje.
Oerd Bylykbashi
Shumica e rekomandimeve të ODIHR janë reflektuar. Duhet konsensus i mirëfilltë, ne do eksplorojmë filtrat parlamentarë. Reforma zgjedhore nuk duhet të lidhet me asnjë çështje tjetër.
Damian Gjiknuri
Nuk u arrit kompromisi sepse PD-ja u tërhoq, madje edhe për ato tekste që janë miratuar paraprakisht. Nëse ka vullnet politik, edhe këtë javë, brenda mekanizmave parlamentare, mundet që çështja të zgjidhet. Mjafton të ketë negociata politike që deri në 24 maj të gjendet kompromisi. Ndonjëherë zgjidhjet jepen edhe në momentin e fundit.
Kronologjia
5:10 fillon mbledhja ku prezent janë të gjithë anëtarët me përjashtim të Mediut
6:40 anëtarët bëjnë pushim, ndërsa Oerd Bylykbashi dhe Bledi Çuçi vijojnë punën
8:30 rifillon mbledhja për teknologjinë
9:20 largohet Rusmali, por Gjiknuri e rikthen
9.45 përfundon takimi