E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso në PE:Greqia do mbetet në eurozonë

Kreu i Komisionit Europian Hose Manuel Barroso në një fjalim para Parlamentit Europian ka folur për gjendjen kritike të eurozonës, shpëtimin e saj dhe pozicionin e Greqisë. Barroso ka theksuar se shteti helen do të mbetet në bllokun e 17 vendeve anëtare, duke përmbushur angazhimet e saj. Kreu i KE-së ka kundërshtuar zërat për largimin e Greqisë nga BE duke thënë se Greqia është dhe do të mbetet anëtare e zonës së euros. “Por Greqia duhet të implemetojë të gjithë angazhimet e saj në kohë. Po ashtu dhe shtet e tjera të eurozonës do të ndihmojnë Greqinë dhe njëra tjetrën” ka theksuar Barroso.
Gjatë këtij fjalimi ai kërkoi edhe futjen e një takse evropiane për bizneset e financave. "Ne duhet të bëjmë hapa përpara, kemi nevojë për një integrim të vërtetë në eurozonë, ne duhet ta plotësojmë bashkimin monetar me një bashkim të vërtetë ekonomik"deklaroi Barroso.
Inisiativa e vetme konkrete, që Barroso të shpalli gjatë këtij fjalimi ishte pikërisht futja e taksës për transaksionet financiare. Një taksë e tillë për biznesin në bursa është një çështje e një qëndrimi korrekt e të ndershëm, tha ai. Taksapaguesit evropianë, tha Barroso, që prej shpërthimit të krizës financiare i kanë mbështetur bankat me 4,5 bilionë euro. Tani ka ardhur koha që sektori i financave t`i kthejë diçka shoqërisë.
Barroso llogarit nga taksa të ardhura vjetore prej 50 miliardë eurosh. Qeveria gjermane kërkon prej kohësh futjen e një takse për transaksionet financiare dhe i ka kërkuar disa herë Komisionit që ta paraqesë më në fund një propozim të tillë.
Edhe nga presidenti francez, Nicolas Sarkozy është pro kësaj nisme, kurse Britania e Madhe është kundër. Britania e Madhe theksoi se nuk kishte asgjë kundër një takse financiare në parim, por kjo duhet të jetë një taksë globale. Kjo taksë e transaksioneve ka nevojë për votën e Britanisë për tu implementuar në gjithë BE-në.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›