E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet numri i veprave penale, ulet me 2% zbulueshmëria

Rritja e evidentimit të veprave penale në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për këtë vit kanë sjellë uljen e zbulueshmërisë me 2%. Sipas kreut të policisë kryeqytetase, Tonin Vocaj, gjatë periudhës janar-nëntor 2009, në Qarkun e Tiranës janë evidentuar 4828 vepra penale dhe u zbuluan 3941 prej tyre, ose 82% e veprave penale dhe në sajë të masave të marra u arrestuan 1100 persona dhe u ndoqën në gjendje të lirë 2713 të tjerë. Ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në Tiranë janë evidentuar 4220 vepra penale dhe janë zbuluar 3560 prej tyre ose 84%. Gjithashtu, gjatë këtij viti, sektori kundër krimit të organizuar ka evidentuar 260 vepra penale, ku janë implikuar dhe proceduar penalisht 307 autorë, nga të cilët 137 janë arrestuar dhe 161 ndiqen në gjendje të lirë. Në fushën e krimeve kundër narkotikëve, janë evidentuar dhe ndjekur 127 vepra penale të shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, zbuluar 127 ose 100% e tyre, me 167 autorë, prej të cilëve 108 të arrestuar. Ndërsa në fushën e trafiqeve të paligjshme, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 133 vepra penale të këtij drejtimi dhe zbuluar 133 ose 100% e tyre, me 140 autorë, prej të cilëve 29 të arrestuar në flagrancë. Gjatë kësaj periudhe, në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar gjithsej 610 vepra penale, prej të cilave janë proceduar penalisht 854 autorë, nga të cilët 172 janë arrestuar në flagrancë dhe 682 janë ndjekur penalisht në gjendje të lirë. Krahasuar me vitin 2008 janë evidentuar 84 vepra penale më shumë, si dhe ka një rritje të operacioneve policore si në numër ashtu edhe në cilësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›