E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon të ulet numri i vdekshmërisë foshnjore në botë

Nga viti 1990 e deri më sot, vdekshmëria foshnjore është ulur me 2 për qind çdo vit. Merita është e vaksinave, barnave kundër Sidës dhe edukimit shëndetësor

Ismaili ishte aq i dobët saqë nuk dallohej kur mbulohej me çarçaf të bardhë. Sot do të kishte mbushur 8 vjeç, por atë natë që vdiq, nga një diarre që nuk ndalej, ai sapo kishte filluar të hidhte hapat e parë mbi ato këmbët e holla porsi dy shkopinj. Dy burra e larguan nga tenda ku qëndronte me familjen dhe e shpunë larg në periferi. Barela mbi të cilën ishte shtrirë Ismaili nuk peshonte fare, a thua se ishte bosh. Ajo që të çudiste më shumë ishte fakti se askush nuk qante. Ndoshta lotët kanë nevojë për shpresë dhe në atë kohë, në Etiopi, shpresat pothuajse ishin shuar.

Të financuar nga Bill Gates

Ndoshta që atëherë e deri më tani, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë, por të paktën sot numri i fëmijëve që vdesin pa mbushur 5 vjeç ka ndryshuar për mirë, “ka pësuar një rritje pozitive”, thuhet në një raport të publikuar këto ditë nga revista shkencore “Lancet”. Si Etiopia, janë edhe shumë shtete afrikane si Malavi, Ruanda, Tanzania, Zambia, Botsvana. Studimi i financuar nga fondacioni i Bill dhe Melinda Gates, është fokusuar konkretisht te statistikat e vdekshmërisë foshnjore në çdo cep të planetit tonë, nga kontinenti më i varfër, që është Afrika, tek Azia e rrënuar nga shirat dhe përmbytjet, lagjet me baraka të Amerikës Latine dhe deri te kombet e pasura të Europës e Perëndimit të industrializuar. Studiuesit kanë lexuar, kanë bërë verifikime duke krahasuar të dhënat, kanë marrë në pyetje punonjës të institucioneve të ndryshme dhe ekspertë të 187 vendeve dhe rezultatet i kanë krahasuar me evidencat e tyre: nga viti 1990 e deri më sot, vdekshmëria foshnjore ka rënë me 2 për qind në vit. Në zyrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Gjenevë, vërehet qartë optimizmi: “Mund të themi se përpjekjet e organeve zyrtare dhe shoqatat humanitare, kanë mjaft ndikim, madje më shumë nga ç’e kishim imagjinuar”.

Megjithatë nuk janë ende shifra të sakta që të qetësojnë ndërgjegjen e botës. Këtë vit, 7,7 milionë fëmijë në botë do të vdesin nga uria, vuajtjet, diarreja, pneumonia dhe malaria. Sipas raportit që shkruhet në revistën “Lancet”, duhet t’i besojmë asaj që do të ndodhë: në vitin 1990, sëmundjet e përmendura më lart u merrnin jetën 11,9 milionë engjëjve të vegjël, pra 4 milionë më shumë se sot. 4 milionë fëmijë që sot mund të jetojnë, të rriten, të shpresojnë që të bëhen burrat dhe gratë e kohës së tyre dhe të luftojnë sepse nuk ekziston më një botë aq e egër.

Lufta kundër malaries

“Nuk duhet ta ndalim luftën tonë, edhe pse rezultatet janë pozitive, sepse mjafton që të reduktojmë disi impenjimin dhe mbështetjen tonë financiare në këtë fushë dhe do të shohim shumë shpejt se do të mbizotërojnë varfëria dhe skamja”, thotë një përgjegjës i shëndetësisë së UNICEF-it. Faktorët që çuan në “përmirësimin e situatës” së statistikave janë rreshtuar në faqet e revistës “Lancet” nga një prej autorëve të studimit, doktor Christopher J.L. Murray, drejtor i Institutit për Studimin e Statistikave Mjekësore në Universitetin e Uashingtonit, Siatëll. Ato janë: mundësia për të përhapur aplikimin e vaksinave, barnat kundër Sidës, shpërndarja e gjerë e vitaminës A, një nga terapitë më efikase kundër pneumonisë dhe diarresë, intensifikimi i edukimit shëndetësor mes grave dhe përdorimi i insekticideve për të parandaluar infeksionet e shkaktuara nga malaria. Edhe pse ulja e pjellorisë ka pasur ndikim, sot numri i lindjeve është ulur dhe janë pikërisht gratë që kanë vendosur që të krijojnë distanca mes shtatzënive të paktën dy vjet.

Gjysma e fëmijëve që vdesin para se të mbushin 5 vjeç jetojnë në vendet e Afrikës Subsahariane, një e treta në Azinë Jugore, ndërkohë që 41 për qind e këtyre vdekjeve janë foshnja të sapolindura. Guineja Ekuatoriale ka përqindjen më të lartë të vdekshmërisë foshnjore, me 180 fëmijë të vdekur në çdo 1000 të sapolindur, më pas renditet çadi, me 169 viktima. Një situatë e përmirësuar është regjistruar në Singapor (2,5 të vdekur për 1000 lindje) dhe në Islandë (2,6). Këto statistika nuk janë vetëm të dhënat e Prodhimit të Brendshëm Bruto kombëtar: në Shtetet e Bashkuara vdesin 6,7 fëmijë, ndërsa në Angli 5,3. Në Kubë treguesi i vdekshmërisë foshnjore është i ulët, pavarësisht një ekonomie në amulli konstante.

OKB-ja ka vënë si qëllim për planetin një reduktim me dy të tretat e vdekshmërisë foshnjore, brenda vitit 2015. Nuk do të jetë e lehtë. “Do të ishte një tragjedi nëse do të ndaleshim këtu, pasi në disa zona, situata po përmirësohet. Bilanci është shumë delikat dhe ne duhet të këmbëngulim”, thotë doktor Murray. Disa linja ajrore kanë marrë një nismë që të shpërndajnë mes pasagjerëve që kryejnë udhëtime ndërkombëtare një zarf brenda të cilit kanë futur një euro si dhurim vullnetar për UUNICEF-in, organizmin e OKB-së që kujdeset për kushtet e fëmijëve në botë. “Ky gjest është i rrallë dhe mendoj se duhet zëvendësuar me 7 ose 8 zarfe të tjerë, gjatë momentit të uljes së avionëve”, thotë një pilot që udhëton drejt Nju Jorkut.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›