E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova si shtetet e tjera në samitin e Sarajevës. Hyseni: Kërkojmë vizat e dialog me KE

Në Samitin e Sarajevës që pritet të mbahet me 2 qershor Kosova do të prezantohet njëlloj si shtetet e tjera pjesëmarrëse. Kështu u shpreh Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, duke shtuar se rreth pjesëmarrjes së shefit të UNMIK-ut Lamberto Zannier në këtë samit duhen pyetur organizatorët e tij.

“Një gjë mund t’ju siguroj që, Kosova nuk mund ta përfaqësoj më askush, në emër të Kosovës nuk mund të flas më askush dhe Kosova edhe në këtë konferencë do të trajtohet sipas marrëveshjes që është arritur...Ndërkohë që pyetja e juaj për ftesën qoftë Zanierit apo përfaqësuesve tjerë të misioneve ndërkombëtare që sipas informacioneve të mija thuhet se do të ketë edhe shumë të tjerë le të mbetët përgjigja organizatorit” tha Hyseni.

Ndërkohë, Ministri Hyseni tha se kërkesat që Kosova do të paraqesë gjatë këtij samiti kanë të bëjnë kryesisht me integrimin evropian dhe procesin e liberalizimit të vizave.

“Ajo që unë do të bëjë në Sarajevë është që në mënyrë shumë të qartë dhe pa ekuivokë do të shtroj kërkesat që ka Kosova karshi Komisionit Evropian karshi integrimeve, do të shtroj kërkesën eksplicite që Kosova të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave dhe dialogu me Kosovën të filloj pa u vonuar, urgjentisht” tha Hyseni.

Samiti i Sarajevës do t’i zhvillojë punimet brenda formatit “Gymnich”, sipas të cilit parashikohet eleminimi i flamujve, apo simboleve shtetërore në paraqitjen e ministrave të jashtëm. Kjo marrëveshje është arritur pasi Serbia ka kundërshtuar pjesëmarrjen e Kosovës në cilësi të barabartë me vendet e tjera të rajonit.

Bul Salihu

< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›