E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sektori Minierar, miratohet në parim drafti

18/05/2010 Komisionet

Komisioni parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese miraton në parim projektligjin “Për Sektorin Minerar". Ky komision nisi dje diskutimet në parim lidhur me këtë projektligj, i cili u prezantua nga zv/ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali. Sipas Alibalit, projektligji përcakton rregullat për zhvillimin e veprimtarive minerare në vend, ka për qëllim nxitjen e veprimtarive të këtij sektori duke siguruar transparencën dhe të konkurrencës së lirë. “Gjithashtu, projektligji synon rritjen maksimale të përfitimit publik nga veprimtaria minerare dhe garantimin e mjedisit dhe të qytetarëve nga rreziku minerar”, tha ai. Alibali u ndal në vendosjen e kuadrit ligjor dhe rregullator për nxitjen e investitorëve në këtë sektor. Ai tha se ky ligj ka si synim të lehtësojë procedurat për marrjen e lejes, duke iu përgjigjur në kohë kuadrit rregullator të marrë nga qeveria, si dhe përcakton qartë rolin e shtetit si promovues i pasurive minerare. Ndër të tjera se ndërmarrja e kësaj nisme ka për qëllim përafrimin e legjislacionit në fuqi dhe të kuadrit rregullator me direktivat e zbatuara në vendet e Bashkimit Evropian. Relatori i këtij projektligji, deputeti i PD, Selami Xhepa, theksoi rëndësinë që ka ky ligj për sa i përket përcaktimit të konkurrencës së lirë, si dhe mekanizmave financiare për të përcaktuar detyrimet përkatëse. Nga ana tjetër, deputeti Xhepa vuri në dukje rëndësinë që ka rritja e bashkëpunimit me autoritetet vendore lidhur me këtë sektor. Për t’u njohur më në hollësi me detajet e projektligjit, anëtarët e komisionit drejtuan disa pyetje lidhur me klimën miqësore për investitorët e huaj, heqjen e burokracive, sa funksionale janë lejet e dhëna në sektorin minerar etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›