Konferenca Gjyqësore, Nishani: Gati projektligji
Ministria e Drejtësisë ka gati projektligjin për “Konferencën Gjyqësore Kombëtare”. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, tha se projekti është gati për t’u shqyrtuar në Kuvend dhe për të janë marrë sugjerimet e bëra nga aktorë të sistemit të drejtësisë si përfaqësues të Konferencës Gjyqësore, Shoqatave të Gjyqtarëve, Këshillit të Lartë i Drejtësisë, si dhe misioneve të asistencës ndërkombëtare. “Qëllimi për përgatitjen e këtij projektligji ka qenë që Konferenca Gjyqësore Kombëtare të funksionojë mbi bazën e një ligji, pasi më parë ka funksionuar mbi bazën e vetorganizimit të saj. Fillimisht, ka pasur një ankesë, mbasi ky ligj u kalua në Parlament dhe Gjykata Kushtetuese e pezulloi me argumentin se ligji duhet të kalonte me një shumicë të kualifikuar, 3/5 e votave në Parlamentit, duke e konsideruar këtë si një ligj organik. Që nga ky moment, Ministria e Drejtësisë ringriti një grup pune dhe tashmë ka realizuar draftimin e një projekti të ri, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e interesuar në sistemin e drejtësisë”, - tha dje Nishani për ATSH-në. Nishani u shpreh skeptik për qëndrimin e opozitës për dhënien e miratimit për këtë projektligj. “Mungesa e opozitës në Parlament është një fakt publik, por nuk është vetëm çështja e këtij projektligji. Opozita mund të hyjë në Parlament e të mos e japë votën si në rastin e ligjit për Gjykatën Administrative, i cili nuk ka kaluar në seancë, pasi opozita nuk ka dhënë votat e saj”, - tha Nishani, duke shtuar se Konferenca Gjyqësore Kombëtare nuk mund të mbetet në ngërç, aq më tepër që “edhe më parë Konferenca është mbledhur me vetërregullim”. Ai nënvizoi se kjo është një çështje që i takon tërësisht dhe vetëm kryetares së Konferencës Gjyqësore Kombëtare, e cila është edhe kryetarja e Gjykatës së Lartë.