Pack: Opozita të votojë në Kuvend heqjen e vizave
Parlamenti Evropian këmbëngul për thyerjen e bojkotit të opozitës dhe kthimin e saj në Kuvend, pasi në këtë mënyrë ajo po dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë drejt bashkimit Evropian. PE-ja i kërkon opozitës që të votojë në Kuvend liberalizimin e vizave dhe të gjitha detyrimet që rrjedhin për anëtarësim të plotë në familjen evropiane. PE-ja konsideron se mungesa e opozitës shqiptare në Kuvend cenon jo vetëm çështjet e brendshme politike, por është pengesë e madhe për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Këtë qëndrim i shprehu dje eurodeputetja Doris Pack, ministrit tonë të Jashtëm, Ilir Meta, gjatë takimit të zhvilluar në Bruksel.
“Ka shumë vendime të rëndësishme që duhet të votohen në Parlament, si p.sh. liberalizimi i vizave dhe për këtë duhet që opozita të votojë në favor. Nëse ata nuk duan që të ndihmojnë qytetarët shqiptarë për heqjen e vizave, atëherë qytetarët shqiptarë duhet t’u thonë: Ju lutemi, ne ju kemi votuar, kështu që shkoni punoni”, - theksoi znj. Pack. Europarlamentarja Pack përgëzon reformat e arritura nga qeveria “Berisha”, ndërsa vlerëson në mënyrë të veçantë mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet demokratike të 28 qershorit, por ajo apelon që opozita të bëjë detyrën e saj që i kanë besuar zgjedhësit, të zërë vendet në sallën e Parlamentit. “Ne jemi të kënaqur, pasi mund të themi që gjërat po shkojnë mirë. Kemi një problem, që opozita nuk është duke luajtur rolin e duhur. Unë mund të përsëris sërish apelin për socialistët, që të kryejnë detyrën e tyre, pasi votuesit që i kanë zgjedhur, i kanë zgjedhur për të punuar në Parlament”, - shprehet znj. Pack. Ajo kritikon kryetarin e PS-së, Edi Rama, se për interesa personale po bëhet shkaktar i dëmtimit të procesit të integrimit të vendit, ndaj Doris Pack i kujtoi z. Rama se duhet të marrë në konsideratë thirrjet që vijnë nga Brukseli për të hyrë në Kuvend. “Ata nuk duhet të dëgjojnë dikë që nuk është anëtar i Parlamentit, që nuk është zgjedhur dhe që po luan lojën e tij personale. Z. Rama po luan lojë personale, në vend që të përkujdeset për zgjedhjet në Shqipëri. Zgjedhjet kanë qenë korrekte, ne jemi njohur me raportin e ODIHR-it dhe mendoj se zoti Rama nuk mund të ketë më shumë njohuri në këtë aspekt. Unë mendoj se ai duhet të ndalojë, pasi ai e bën për motive egoiste dhe kjo s'është korrekte. Njerëzit nuk e meritojnë këtë qëndrim të opozitës”, - deklaroi eurodeputetja Doris Pack. Ajo vuri në dukje se në një demokraci nevojitet një qeveri që funksionon dhe një opozitë që funksionon dhe kjo mund të ndodhë vetëm kur jo vetëm qeveria luan rolin e saj në Parlament, por edhe opozita e bën një gjë të tillë. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin për anëtarësimin e plotë në BE.