E Diel, 1 Nëntor 2026

KE, Rehn, thirrje PS-së: Jepi fund bojkotit, debati bëhet në Kuvend



KE-ja i bën thirrje opozitës t’i japë fund bojkotit dhe të kthehet në Parlament, në institucionin ku zhvillohet debati demokratik si një shërbim që i bëhet integrimit të shqiptarëve në BE. Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Olli Rehn, paralajmëroi dje nga Brukseli se bojkoti i Parlamentit nga opozita shqiptare mund të ketë një impakt negativ në shanset e Shqipërisë për të pasur statusin kandidat. Deklarata e zyrtarit evropian u bë dje gjatë një konference të përbashkët për shtyp me shefin e diplomacisë shqiptare, Ilir Meta. "Bojkoti i opozitës nuk i shërben integrimit të vendit. Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë, sepse po ndikon në plotësimin e standardeve", - u shpreh Rehn. Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin vuri në dukje se progresi drejt BE-së kërkon konsensus politik dhe se për këtë opozita duhet t’i japë fund bojkotit parlamentar. Sipas tij, bojkoti i opozitës është jodemokratik dhe larg standardeve evropiane dhe nuk përputhet me pjekurinë politike të kërkuar. Rehn vlerësoi më tej se qeveria ka program ambicioz pune dhe se Shqipëria ka bërë progres. Ai pohoi në mënyrë të qartë se implementimi i MSA-së po njeh progres efikas. Për sa i përket lëvizjes së lirë të shqiptarëve drejt zonës “Shengen”, Olli Rehn, siguroi se Komisioni Evropian do të bëjë rekomandimin për lëvizjen pa viza në mesin e vitit 2010. Komisioneri Rehn theksoi se nëse Shqipëria përmbush kushtet, atëherë do të ketë lajme të mira për të në mesin e vitit 2010, sa i takon heqjes së regjimit të vizave. Ai i konfirmoi ministrit të Jashtëm shqiptar se ambasadorët e COREPER kanë diskutuar për anëtarësimin dhe ka një shans të mirë që vendimi do të merret nga Këshilli në nëntor. “Maturimi demokratik, kryesisht për atë çfarë kërkon Komisioni Evropian, kërkon reforma, konsensus politik. Këto janë çështje kryesore dhe janë thelbësore për çdo vend që kërkon anëtarësim në BE. Kam diskutuar me zëvendëskryeministrin Meta edhe për bojkotin e opozitës. Ky shqetësim është edhe për opozitën dhe i bëj apel që t’i japë fund bojkotit në Parlament, sepse nuk respekton standardet evropiane. Debati demokratik duhet të zhvillohet në Kuvend. BE merr në konsideratë dhe fillon të diskutojë opinionin e aplikimit të Shqipërisë në BE”, - deklaroi z. Rehn. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u shpreh i angazhuar për të bashkëpunuar me opozitën, ndërsa pritet prej palës tjetër që të marrë përgjegjësitë e veta. "Qeveria dhe mazhoranca kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim, por pa shkelur pavarësinë e gjyqësorit dhe vendimet e gjykatës", - u shpreh Meta. Ministri i Shqipërisë e informoi komisionerin Rehn për punën e qeverisë për të përmbushur në kohë të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin presim një përgjigje pozitive brenda vitit që vjen. “Në këtë kuadër, vlerësojmë bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e Komisionit”. “Për sa i përket progres-raportit, e informova komisionerin që ne i kemi marrë rekomandimet e këtij raporti shumë seriozisht dhe se ato tashmë përbëjnë bazën e një plan-veprimi për punën e qeverisë gjatë muajve të ardhshëm. Ndërsa ne mirëpresim një vendim nga Këshilli të merret së shpejti, e informova komisionerin Rehn se qeveria shqiptare është tepër e fokusuar në përgatitjet për t’iu përgjigjur pyetësorit në kohën e duhur. Me këtë rast e sigurova komisionerin se qeveria shqiptare është e vendosur dhe ka mobilizuar kapacitetet më të mira të vendit për këtë proces”, - u shpreh kryediplomati shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›