E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Pavarësia e gjyqësorit, kusht për funksionimin e shtetit ligjor



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi dje të dhëna në lidhje me debatet e fundit brenda gjyqësorit për nevojën e rizgjedhjes së përfaqësuesve të rinj nga Konferenca Gjyqësore për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Topalli zhvilloi një takim me të zgjedhurit e Kuvendit në KLD, Neshat Fanën dhe Lefterie Lleshin, ndërkohë që nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, nuk mori pjesë, për shkak se ndodhet jashtë vendit me Presidentin e Republikës. Në këtë takim, kryetarja e Kuvendit konfirmoi qëndrimin e Kuvendit në mbështetje të plotë të autonomisë së gjyqësorit. Ajo tha se pavarësia e pushtetit gjyqësor është kushti themelor për funksionimin e shtetit ligjor. “Për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor në KLD, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur tre të pestat për ligjin për Konferencën Gjyqësore dhe kur opozita bojkoton Parlamentin, është në të drejtën e trupës gjyqësore të vendit të përcaktojë vetë rregullat e zgjedhjes së përfaqësuesve të vet në KLD. Të drejtat e gjyqësorit për t’u përfaqësuar në KLD me të zgjedhurit e tij nuk mund të pengohen, tjetërsohen dhe asgjësohen nga askush. Është në të drejtën e gjyqësorit që të ndërmarrë çdo nismë, në përputhje me Kushtetutën e vendit, për të zëvendësuar anëtarët me mandate të skaduara dhe për të plotësuar vendet vakante në KLD”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit për këtë takim informues. Më tej, thuhet se Kushtetuta përcakton se balanca e përfaqësimit në KLD në favor të gjyqësorit, me anëtarë të zgjedhur rregullisht dhe që përfaqësojnë vullnetin e trupës është parim themelor i ngritjes dhe funksionimit të KLD-së. Ky parim nuk mund të cenohet nga askush. Cenimi i tij është dhunim i drejtpërdrejtë i Kushtetutës. “Qëndrimi i Kuvendit është i prerë dhe i qartë. Ai mbështet trupën e gjyqësorit të vendit dhe të drejtën e tij për të zgjedhur dhe zëvendësuar çdo pesë vjet përfaqësuesit e vet në KLD. Çdo qëndrim tjetër, i cilitdo individ, i cili pengon gjyqësorin në ushtrimin e të drejtave të veta, është antikushtetues dhe i papranueshëm për Kuvendin e Shqipërisë”, - thuhet në njoftim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›