E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paloka: Të ndahen postet në PD, por jo ai i Bodes



Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së PD-së, Edi Paloka, mbështet parimin e ndarjes se posteve në parti, por sipas tij, nuk duhet të përfshijë sekretarin e përgjithshëm. Këtë post e mban prej 4 mandatesh ministri i Financave, Ridvan Bode. Në prag të ndryshimeve të pritshme në statutin e partisë janë shtuar zërat që kërkojnë zgjidhje që garanton funksionimin e plotë të Partisë Demokratike. Një logjikë që niset nga bashkëfunksionimi i emrave të njohur të partisë si në qeveri e paralelisht me poste drejtuese në selinë blu, i konsideruar si fakt për lënien jashtë dore të partisë. Debati në fakt është i hershëm, u la në heshtje edhe për shkak zgjedhjeve të përgjithshme, por u rihap në pritje të kuvendit kombëtar të partisë. Edi Paloka, deputet dhe anëtar Kryesie i PD-së, u shpreh dje: “Situata duhet të marrë zgjidhje, qoftë kjo dhe me ndarjen vetëm të sekretariatit nga funksionet qeverisëse”, - një ide e hedhur nga figura të njohura të PD-së. Për sa i përket parimit “një anëtar një votë”, pra a duhet që drejtuesit e partisë të zgjidhen në bazë të tij, siç propozoi edhe anëtari i Kryesisë, Aleksandër Biberaj, Paloka mendon se kjo mund të diskutohet, por jo të zbatohet medoemos në zgjedhje. Krahas debatit për ndryshimet në statut, strukturat e PD-së janë përfshirë në analizën e procesit elektoral të 28 qershorit dhe në përzgjedhjen për caktimin e 1200 delegatëve, pjesëmarrës në Kuvendin që do të mbahet pas një muaji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›