Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë deklaron se katolikët nuk mund të përfaqësohen në politikë nga Partia Demokristiane e Nard Ndokës
Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka reaguar sot zyrtarisht lidhur me disa njoftime të mediave të majta, të cilat e kishin paraqitur Partinë Demokratistiane të Nard Ndokës si përfaqësuesen zyrtare të komunitetit katolik dhe i kishin bërë jehonë pretendimit se katolikët ishin përjashtuar nga qeverisja. Në një deklaratë zyrtare, të shpërndarë nga zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore, Dom Gjergj Meta, thuhet: Ditët e fundit në disa media dhe agjenci të ndryshme informacioni është folur për pjesëmarrjen e katolikëve në qeveri me terma të tillë si p.sh. Partia Demokristiane e cila përfaqëson katolikët në Shqipëri është eleminuar nga qeverisja apo “mospjesëmarrja e Partisë Demokristiane në parlament e qeverisje i ka krijuar probleme serioze përfaqësimit të komunitetit katolik në skenën politike shqiptare”.
Konferenca Ipeshkëvore e Shqipërisë nëpërmjet Zyrës së Shtypit dëshiron të sqarojë opinionin publik shqiptar se katolikët në Shqipëri nuk mund të jenë të përfaqësuar kurrsesi nga një parti politike sikurse në rastin konkret është Partia Demokristiane e Shqipërisë. Doktrina sociale e Kishës në këtë pikë është shumë e qartë kur thotë se “...Kisha respekton autonominë e ligjshme të rendit demokratik dhe nuk ka titull të shprehë parapëlqimet për njërën apo tjetrën zgjidhje institucionale apo kushtetuese dhe nuk ka as detyrën të hyjë në meritë të programeve politike, përveçse në rastet kur ka implikime religjioze apo morale” (Centesimus annus, 47 dhe Përmbledhja e Doktrinës Shoqërore të Kishës, 424) dhe se “...sa i përket militimit politik konkret … mund të ketë një numër të madh partish në të cilat katolikët mund të zgjedhin të militojnë për të ushtruar - veçanërisht nëpërmjet përfaqësimit parlamentar - të drejtën-detyrë të tyre në ndërtimin e jetës civile të vendit të tyre” (Nota doktrinore rreth disa çështjeve që i përkasin angazhimit dhe sjelljes së katolikëve në jetën politike.
Mbështetur në këto dokumenta dhe traditën e saj Kisha nuk përfaqëson dhe nuk përfaqësohet nga asnjë parti apo forcë politike.
...