E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma në sistemin gjyqësor, Beçaj: KLD të penalizojë gjyqtarët e korruptuar, të mos merret me fjalime të gjata

Kryetarja e Gjykatës së Lartë apelon për ndëshkim të rreptë të gjyqtarëve të korruptuar


Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj deklaroi sot gjatë një takimi të përbashkët me të gjithë gjyqtarët në vend se reforma në sistemin gjyqësor duhet të përshpejtohet, pasi siç theksoi ajo reformimi i sistemit të drejtësisë është një proces i gjatë dhe i komplikuar. Në fjalën e hapjes së këtij takimi Kryetarja e Gjykatës së Lartë, znj. Shpresa Becaj falenderoi rganizmat ndërkombëtarë për ndihmën reale dhe asistencën që kanë dhënë në këtë proces të vijueshëm. Beçaj i bëri thirrje Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të heqë dorë nga fjalimet e gjata dhe të penalizojë gjyqtarët e korruptuar, por më parë të ketë bërë verifikime të sakta. “Reforma në drejtësi mbetet prioritet i çdo shoqërie e sfidë. Nisur nga vështirësitë me të cilat ndeshet drejtësia ky proces do jetë relativisht i gjatë”, u shpreh ajo. Sipas kryetares së Gjykatës së Lartë, legjislacioni është pothuajse i njëjtë me shtetet demokratike dhe formalisht këto ligje japin idenë e një pushteti gjyqësor të pavarur, por nënvizoi ajo, këto ligje nuk zbatohen nga të gjithë gjyqtarët. “I paafti nuk mund të zbatojë ligjet. I korruptuari qoftë dhe i aftë para parave e anashkalon ligjin. I politizuari që formalisht deklaron se është i apolitizuar formalisht nuk ka respekt për ligjin”, deklaroi Beçaj. Ajo bëri thirrje se për të luftuar korrupsionin KLD duhet të marrë masa të menjëhershme në penalizimin e gjyqtarëve të inkriminuar në afera korruptive. “Për të luftuar korrupsionin jepni fund fjalimeve të përgjithshme. Të evidentojmë individët e korruptuar. KLD të marrë masa ndaj gjyqtarëve të korruptuar, por më parë duhet t’i vërtetojë”, nënvizoi Becaj. Kryetarja e Gjykatës së Lartë tha më tej se ndodh që “elemente keqbërës ushtrojnë presione ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kjo nuk duhet nënvlerësuar”. Gjithashtu, në rendin e ditës së diskutimeve është edhe mbledhja e konferencës gjyqësore. Ligjerisht Konferenca duhet të mblidhet me ligjin e posacëm, por ky ligj ende nuk është miratuar nga Parlamenti sipasojë e mungesës së opozitës atje, duke bllokuar punën e sistemit të Drejtësisë në tërësi dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›