Konferenca Islamike:Kosova progres pas shpalljes së pavarësisë
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka vijuar lobingun në Nju Jork për njohjen e mëtejshme të Kosovës si shtet i pavarur. Kreu i diplomacisë shqiptare mori pjesë në takimin vjetor të ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Konferencës Islamike. Në komunikatën finale të ministerialit të OKI-t u miratua midis të tjerash edhe një paragraf mbi Kosovën, në të cilin evidentohet qartë se, që nga shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë progres të dukshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe ka krijuar kuadrin e nevojshëm ligjor e institucional dhe se pavarësia e saj ka kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajon. Po ashtu, ministrat e Jashtëm të OKI-t mirëpritën anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Gjatë një interviste në Zërin e Amerikës, Meta u shpreh se një pjesë e mirë e takimeve janë përqendruar në njohjen e Kosovës. “Ministria e jashtme dhe qeveria prej kohësh janë angazhuar për njohjen e saj dhe kjo ka sjellë rezultate. Kërkohet një angazhim i ri pasi besoj që në muajt që vijnë do kemi shumë sfida si dhe diskutimi për çështjen e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, por unë jam i mendimit se ky është një proces i pandalshëm dhe ne po koordinojmë ngushtë edhe me Qeverinë e Kosovës dhe vendeve të tjera që kanë qenë të bindura se pavarësia e Kosovës është e rëndësishme për stabilitetin e rajonit tonë”, tha Meta. Kreu i diplomacisë shqiptare u takua në Nju Jork edhe me homologun e tij të Malajzisë, Datuk Anifah Aman.