Dritëro Agolli: Rama të jetë më kokëulur, bojkoti i Kuvendit nuk duhet të zgjasë
Aristir Lumezi
Njeriu i urtë i socialistëve, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, theu dje heshtjen e tij tremujore në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit dhe rezultatin e tyre. Pas votimit për kryetarin socialist paraditen e djeshme, Agolli i dha këshillat e tij të urta kryetarit të PS-së që do të dalë nga këto zgjedhje, i cili padyshim pritet të jetë Edi Rama. Duke bërë kështu dhe një sintezë të atyre defekteve që janë paraqitur në lidershipin e PS-së, Agolli shprehet se: “Udhëheqësi të jetë më i afërt me njerëzit, më kokulur, të shprehë dashuri ndaj të gjithëve”.
Shkrimtari i njohur shprehu dhe vlerësimin e tij lidhur me bojkotin që deputetët socialistë po i bëjnë Parlamentit duke vendosur disa kushte. Sipas tij, ky bojkot nuk duhet të zgjasë shumë, ndërsa kërkesat që i janë drejtuar maxhorancës janë sipas tij dhe një përpjekje për të verifikuar veten përballë votës së elektoratit, por dhe për të sqaruar nëse ka pasur apo jo manipulime dhe çrregullime gjatë procesit të votimit. Për Dritëro Agollin, humbës i këtyre zgjedhjeve nuk është vetëm Edi Rama, por dhe Sali Berisha dhe Ilir Meta, pasi asnjë prej tyre nuk arriti të krijojë Qeverinë me koalicionin e tij pa bashkëpunuar me të tjerë.
Si e vlerësoni garën për kreun e PS-së mes Edi Ramës dhe Maqo Lakrorit?
Fatmirësisht ka dy kandidatë, sepse mund të ndodhte që të kishte dhe një kandidat. Unë mendoj se të dy kandidatët janë njerëz me përvojë në drejtimin e partisë socialiste. Janë dy kandidatë që kanë një eksperiencë të madhe në fushën e pluralizmit politik në Shqipëri.
Çfarë do t’i sugjeronit kryetarit të ri pas këtyre zgjedhjeve?
Udhëheqësi të jetë më i afërt me njerëzit, më kokulur, të shprehë dashuri ndaj të gjithëve.
A duhet të shkojë Partia Socialiste në Parlament?
Se kur duhet të shkojë nuk mund ta them, sepse janë strukturat e partisë që e vendosin një gjë të tillë. Kjo parti është e domosdoshme të shkojë në Parlament për të marrë pjesë në vendimet e rëndësishme që duhet të marrë Kuvendi. Mendoj se kjo është punë kohe, është një kërkesë për të verifikuar edhe veten dhe për të ditur nëse vërtet janë bërë këto çrregullime apo manipulime të zgjedhjeve. Por kjo nuk duhet të zgjasë shumë.
Si gjykoni apelin e një grupi deputetësh për të mos marrë pjesë sot në votim, pasi e konsiderojnë këtë garë një farsë elektorale brenda PS?
Ky grup nuk mund të hedhë parulla dhe të nxisë socialistët të bojkotojnë procesin zgjedhor në parti dhe nga ana tjetër të jenë kundër bojkotit në Parlament. Nuk mund të jesh kundër bojkotit me bojkot. Moralisht ky është një veprim më i keq se bojkoti i Kuvendit, sepse nuk mund të bojkotosh partinë tënde.
Brenda PS-së ka nisur një debat në lidhje me largimin e Edi Ramës nga drejtimi i PS-së për shkak të humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, por edhe ndërprerjes së bojkotit të Parlamentit nga deputetët e grupit parlamentar socialist. Cili është mendimi juaj rreth këtij debati?
Gjithnjë në PS ka pasur diskutime të tilla, polemika të tilla, edhe tani është një polemikë e tillë se përse PS nuk fitoi zgjedhjet. Por më thoni ju cila parti fitoi me aleancat parazgjedhore të saj? Nuk fitoi asnjëra. As PD, as PS dhe as LSI. Atëherë lindi nevoja për një koalicion tjetër të PD-së bashkë me LSI-në. Por të gjithë kryetarët e partive kanë qenë humbës dhe i kërkohet Edi Ramës të japë dorëheqje. Me këtë rezultat duhet të japin dorëheqjen që të tre, edhe Edi Rama, edhe Sali Berisha dhe Ilir Meta, sepse nuk përmbushën objektivat e tyre. Asnjëra nga partitë që ishin në krye të koalicioneve nuk arritën të krijonin qeverinë, pasi asnjëri koalicion nuk arriti të marrë 71 deputetë.
Metri që mat suksesin e koalicioneve në zgjedhje është krijimi i qeverisë. Mund të thuash i humbur, por mora 2-3 vota më shumë, por i humbur je përsëri, sepse nuk formon dot qeverinë. Prandaj nuk mund të thuash se Edi Rama është një humbës i madh apo PS-ja një humbëse e zgjedhjeve të 28 qershorit.