E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mospjesëmarrja në votim, Islami: Rama keqinterpretoi statutin

 

Deputetët por dhe socialistët e thjeshtë që janë rreshtuar me “Lëvizjen për mendimin ndryshe” brenda PS-së nuk kanë marrë pjesë në votimin e djeshëm mes dy kandidatëve, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, duke e lidhur këtë me faktin që Rama rikandidon në shkelje të statutit dhe të mandatit katërvjeçar, që vetë ai cakton për veten e tij. Arben Malaj tha dje se kishte votuar në Vlorë, për shkak se gjendej në këtë qytet. “Shkalla e detyrimit tim përballë kësaj gare ishte më e madhe për shkak të ndjekjes së disa fazave që unë ndoqa për t’u futur në garën për kryetar. Unë i qëndroj mungesës së principeve në këtë garë, siç është rikandidimi i Ramës, por dhe mandati i shtuar i tij për edhe katër vjet të tjera”, tha Malaj. Deputeti Kastriot Islami, i cili nuk mori pjesë dje në votim, tha për “Panorama” se nuk kemi të bëjmë me bojkot të këtyre zgjedhjeve, sepse gjatë këtyre ditëve askush dhe në asnjë rast nuk ka bërë thirrje për mospjesëmarrje në votimin për kryetarin. Sipas tij, mospjesëmarrja në votim, është një fenomen që ndeshet në shumë vende dhe është mëse normale dhe aspak e dënueshme. “Pjesëmarrja në zgjedhje asnjëherë nuk kap shifrat e 100 përqindëshit, siç ndodh dhe në SHBA, Gjermani e gjetkë. Tentativa për të hequr paralele mes abstenimit në votim dhe bojkotit të Parlamentit nga grupi parlamentar socialist, është një tentativë e dështuar. Mospjesëmarrja në votim në asnjë vend të botës nuk dënohet nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa po ky komunitet po i kërkon me forcë PS-së lënien e bojkotit të Parlamentit”, u shpreh Islami. Duke iu përgjigjur dhe deklaratës së djeshme të Edi Ramës sipas të cilit “PS është një pengesë e pakapërcyeshme për projektin e Berishës, Metës Nanos dhe kompanisë së tyre, për ta kthyer Shqipërinë në një skemë të mbyllur dhe për ta kthyer pushtetin e popullit në një pushtet interesash që s’kanë të bëjnë me interesat e popullit”, Islami u shpreh se “me interpretimin subjektiv të statutit, Rama u bë kundërshtari më i madh i këtij procesi, duke e kthyer në një farsë. Kurse niveli i pjesëmarrjes dhe rezultati i tyre janë kundërshtarët më të mëdhenj të Ramës, duke e vendosur përfundimisht PS-në në spiralen e humbjeve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›