E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mban fjalim në OKB: Investoni në Shqipëri

 

ADI SHKEMBI

Në ditën e katërt të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri Sali Berisha i është drejtuar vendeve anëtare me një fjalim rreth 15 minuta. Kreu i Qeverisë ka bërë një ekspoze të zhvillimit ekonomik të vendit në katër vitet e kaluara, ku theksoi se varfëria u ul me rreth 70 për qind dhe u hap një numër i madh vendesh të reja pune. “Në një hark kohor tre vjeçar, rreth katërqind mijë shqiptarë kanë dalë nga varfëria ndërsa varfëria ekstreme pësoi një ulje prej rreth 70%. U krijuan dhjetëra e mijëra vende të reja pune, u dyfishua numri i studenteve si dhe ra në mënyrë të ndjeshme vdekshmëria foshnjore”, u shpreh Berisha. Sipas tij në gjatë vitit të fundit, kur vendet e gjithë botës u prekën nga kriza, ekonomia shqiptare i përjetoi më pak pasojat e saj kryesisht me uljen e eksporteve me rreth 10 për qind, uljen e nivelit të kreditimit të ekonomisë, por ai shtoi se megjithë këtë krizë, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti rritja e GDP-së ishte mbi 5 për qind. Në këtë kontekst ai ka ftuar investitorët e huaj të shohin Shqipërinë si një alternativë për të zhvilluar aktivitetin e tyre. “Dëshiroj të shfrytëzoj rastin të ftoj investitorë nga vendet tuaja, të nderuar përfaqësues të vendeve anëtare, të konsiderojnë në projektet e tyre Shqipërinë për të pasur një histori të re suksesi ne vendin tim”, u shpreh Berisha. Kreu i ekzekutivit u ndal edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, për të cilat thekoi se “Rreth dy muaj më parë, Shqipëria zhvilloi zgjedhje të përgjithshme parlamentare për të cilat watchdog-u ndërkombëtar, OSBE/ODIHR, u shpreh se ato përmbushën standardet kryesore të OSBE-së dhe meritojnë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv”. Pjesën e dytë të fjalimit Kryeministri Berisha ia kushtoi situatës së Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Ai tha se krijimi i shtetit të ri kosovar është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit. “Shfrytëzoj këtë rast të bëj një thirrje ndaj të gjitha qeverive të vendeve anëtare të OKB-së të vendosin në axhendën e tyre të shqyrtojnë dhe të vlerësojnë këtë realitet që ekziston në rajonin tonë të Ballkanit dhe mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, si një dëshmi e vullnetit të tyre të qartë për të kontribuar në konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë”, theksoi Berisha. Por kjo mbledhje e OKB-së nuk ka kaluar pa incidente nga delegacioni serb. Gjatë fjalimit të Kryeministrit Berisha, delegacioni shqiptar në përputhje me procedurat e sekretariatit të OKB-së, kishte ftuar që të ndiqte fjalimin edhe Ministrin e jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni dhe stafin e tij. Delegacioni serb protestoi për këtë fakt dhe kërkoi nga protokolli i sekretariatit të OKB-së që t’i nxirrte ata jashtë me pretendimin se ministri i Jashtëm i Kosovës me bashkëpunëtorët e tij nuk duhet të qëndronin aty. Pala shqiptare kundërshtoi këtë pretendim të delegacionit serb me argumentin se të gjithë ata që janë të ftuar nga delegacioni shqiptar kanë të drejtë të jenë aty. Në fund sekretariati i OKB-së miratoi qëndrimin e delegacionit shqiptar dhe vendosi që ministri i Jashtëm i Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij të qëndronin në sallën e OKB-së për të ndjekur fjalën e Kryeministrit Berisha.

Përplasja

Bumçi: Ftojmë PS të vijë në Kuvend
Partia Demokratike i ka bërë sërish thirrje PS-së të shkojë në Parlament për të lënë mënjanë, sipas saj, interesat e kryetarit Rama. Duke përshëndetur raportin e komisionit për çështjet ligjore në Parlamentin Evropian, që propozon heqjen e vizave me Shqipërinë, deputeti Aldo Bumçi tha se: “Ftojmë opozitën të vijë në Parlament, duke lënë mënjanë interesat personale të zotit Edi Rama dhe t’i bashkëngjitet këtij objektivi për të përmbushur një nga detyrimet për të cilat zgjedhësit, që i kanë votuar ata siç na kanë votuar edhe ne”. Sipas përfaqësuesit demokrat: “Heqja e vizave për qytetarët shqiptarë nuk është thjesht një qëllim politik, por një detyrë që ne i kemi vënë vetes dhe që do ta realizojmë shumë shpejt, ashtu siç realizuam anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe paraqitjen e kërkesës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian”.

PS: Berisha, fajtor për heqjen e vizave
Pas ftesës së përsëritur të Partisë Demokratike, ka reaguar selia rozë. Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj tha në një deklaratë për mediat se Kryeministri Berisha duhet të përgjigjet për deformimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe lënien e Shqipërisë jashtë vendeve, që do të përfitojnë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. “Sali Berisha e la Shqipërinë të fundit në rrugën e liberalizimit të vizave, sepse u mor me pasurimin e familjes së tij, jo me plotësimin e kushteve për proces. Opozita ka dhënë gjithçka për integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Sot është koha që Sali Berisha të përgjigjet për zgjedhjet e deformuara, drejtësinë e gjunjëzuar dhe ekonominë në rrënim”, tha Imeraj. Sipas saj: “As fajësimi i opozitës, as martesa me Metën dhe as krushqia me Nanon nuk e shpëtojnë dot Sali Berishën nga përballja me përgjegjësitë e tij të rënda”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›