“PS t’i japë fund bojkotit të Kuvendit”
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta komentoi nga Nju Jorku procesin e zgjedhjeve për kryetarin e Partisë Socialiste. Në një intervistë për “Zëri i Amerikës” kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se e rëndësishme në këtë proces është që PS t’i japë fund bojkotit dhe të rikthehet në Kuvend. “Për mua nuk është e rëndësishme nëse socialistët zgjedhin zotin Rama apo zotin Lakrori. Për mua dhe për të gjithë shqiptarët besoj që është e rëndësishme, që socialistët të zgjedhin rrugën që shpejton integrimin e Shqipërisë në Evropë, pra të zgjedhin Evropën duke i dhënë fund bojkotit si një politikë tepër e vjetër, destruktive dhe që nuk sjell aspak shanse më të mira edhe për vetë socialistët për të marrë përgjegjësitë që u takojnë në procesin evropian të vendit”, u shpreh Meta. Duke folur për marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Demokratike, kreu i LSI-së tha se ajo synon hapjen e 160 mijë vendeve të reja pune në katër vitet e ardhshme. “Ne dëshirojmë të kalohet ky objektiv tepër ambicioz, por është e rëndësishme që punësimi është prioritet madhor i këtij koalicioni dhe kësaj qeverie”, theksoi më tej Meta.