E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e 16-të Mediko-kirurgjikale,

Autori i Lajmit: red.
Arritjet dhe problemet në fushën e kirurgjisë janë diskutuar dje në Konferencën e 16-të Mediko-kirurgjikale, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë dhe Albanian Health Founde, në hotel "Tirana International". Akademiku dhe një nga themeluesit e konferencës së kirurgjisë, Besim Elezi, bëri një pasqyrë të ecurisë 16-vjeçare të konferencës, në të cilën trajtohen probleme të kirurgjisë, stomatologjisë, të sëmundjeve kirurgjikale, të zemrës, traumës, urologjisë, etj. Në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza është bërë një nga studimet më të spikatura nga doktor Arben Gjata, i cili ka identifikuar dhe ka publikuar në punime shkencore, mundësitë e uljes së infeksioneve spitalore, që janë një problem, sipas tij, jo vetëm për vendin, por dhe në nivel botëror, që përbëjnë një rrezik më të madh se sëmundjet, si dhe masat që duhen marrë për të përmirësuar sadopak këtë fenomen. Këto principe, sipas prof. Elezit, janë aplikuar në disa spitale dhe kanë dhënë rezultat të ndjeshëm, por gjithsesi mbeten problem. Lidhur me shkaqet e infeksioneve, Elezi tha ato janë mjaft komplekse, si problemet e higjienës, përdorimit të materialeve njëpërdorimshe, metodat e vjetra të sterilizimit, etj. Në QSUT, problemi është shumë kompleks, pasi dhe qëndrimi në spital i pacientëve shoqërohet ndonjëherë me këto infeksione. Sipas Elezit, ende mungojnë statistika për sa i përket numrit, përqindjes, së pacientëve që mund të marrin infeksion spitalor. Por, sipas tij, "Statistikat mungojnë dhe në shumë vende të zhvilluara të botës". Duke theksuar vendosmërinë për reformimin e sistemin shëndetësor, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, tha se "reforma spitalore që po ndërmarrim, në vija të përgjithshme përkthehet: decentralizim, vetadministrim dhe lëvizje financiare të mirëkontrolluar". Sipas saj, çdo hap dhe lëvizje në reformë do të bazohet kryesisht dhe vetëm në kostifikimin e çdo shërbimi të ofruar qytetarit, ku çdo strukturë, detyrimisht, duhet të hartojë në mënyrë të detajuar, protokollet e diagnozës dhe trajtimit. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, vlerësoi konferencën si një katalizator që mban gjallë lidhjet e bashkëpunimit në fushën e mjekësisë klinike midis mjekëve të huaj dhe atyre shqiptarë. Konferenca vjetore Mediko-Kirurgjikale, u organizua për herë të parë në vitin 1992. Sipas organizatorëve, konferenca organizohet tashmë prej 16 vjetësh dhe ka dhe frytet e para të saj.
Ngritja e "Sporteleve të Migracionit“
Këshillim për punësim dhe studim të emigrantëve

Rrjeti Kombëtar i Sporteleve të Migracionit i shtrirë pranë 14 Drejtorive Rajonale të punësimit në vend, po ofron për qytetarët informacion dhe këshillim për migracion të rregullt. Ky rrjet i ngritur nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), është konceptuar në bazë të Strategjisë Kombëtare për Migracionin, me synim reduktimin e migracionit të parregullt. Sipas Ministrisë së Punës, sportelet e migracionit ofrojnë për qytetarët gjithë informacionin, këshillimet dhe shërbimet e referimit për emigracion për qëllime punësimi, studimi, si dhe për emigrantët e kthyer. Rrjeti Kombëtar i Sporteleve të Migracionit shtrihet pranë Drejtorive Rajonale të punësimit në Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Pogradec dhe Sarandë. Ngritja e qendrave të shërbimeve migruese përveçse detyrim i Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Migracionit, përbën një prej prioriteteve të Qeverisë për rritjen e kujdesit shtetëror për emigrantët. Fillimi i zbatimit të Strategjisë së Informimit dhe Komunikimit si dhe Plani i Veprimit, kanë në fokus informimin e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, për të drejtat dhe detyrimet e shtetasve tanë emigrantë, sipas legjislacioneve të vendeve përkatëse. Ngritja e "Sporteleve të Migracionit" është pjesë e projektit "Ngritja e kapaciteteve, rritja e shkallës së informimit dhe ndërgjegjësimit për nxitjen e emigracionit të rregullt në Ballkanin Perëndimor", i financuar nga Programi AENEAS 2006 i Bashkimit Evropian, nga qeveritë e Gjermanisë dhe Zvicrës. Si projekt rajonal, në të janë përfshirë Shqipëria, Bosnja & Hercegovina, Kroacia, Kosova, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi dhe Republika e Serbisë
Ky lajm është publikuar: 31/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›