E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pollo të konkurrojë në PD, jo t i falen poste”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin shqiptar dhe deputeti i PD-së, Preç Zogaj, nëpërmjet një interviste për “Ballkan”, është shprehur se PDR-së, e cila tashmë është shkrirë në PD, nuk do t i falen postet në parti, liderët e saj duhet të garojnë dhe të votohen për postet brenda demokratëve si dhe t i nënshtrohen statutit dhe rregullave të partisë tashmë. Zogaj gjithashtu nuk është dakord me mendimin e liderëve të PDR-së që shprehen se shkrirja do të sjellë fitoren e PD-së në zgjedhjet e ardhshme. Ai është shprehur edhe për përfaqësimin e të gjitha partive të tjera të djathta në koalicionin me Berishën, parti brenda dhe jashtë Parlamentit, po ashtu ai i ka kërkuar liderit të PD-së që të përfshijë votat e djathta, të përkthyera në parti, të cilat mund të mos pranojnë koalicion parazgjedhor me PD.

Para disa ditësh keni deklaruar se PD-ja duhet të jetë më e hapur për sa i përket hyrjes në koalicion edhe partive të tjera të djathta, çfarë nënkuptonit me këtë deklaratë? Për cilat parti bëhet fjalë, ato që nuk janë në Parlament sot?

Doja të thoja që PD-ja, bashkë me koalicionin e përbërë, të ketë vëmendjen edhe për partitë që nuk duan të hyjnë në koalicion, por që janë pjesë e së djathtës. Sepse sistemi elektoral është i tillë ku na duhet të mos humbim asnjë votë, madje është pozitive për ne që të ketë edhe parti aleate që fitojnë vetë me siglën e tyre deputetë. Nuk kam parasysh parti konkrete, por e kam në princip. Sistemi “propocional rajonal” që tashmë kemi, ku çdo parti merr disa vota, e mira është që këto vota të mbahen të bashkuara, qoftë nëpërmjet formulës së kolicionit të përbërë, por edhe pas zgjedhjeve nëpërmjet dialogut me disa parti që mund të fitojnë edhe vetë.

Si e vlerësoni procesin e shkrirjes së PDR-së me Partinë Demokratike?

Është një proces i paralajmëruar dhe që u realizua. Si i tillë pra është një akt i pritshëm, arsyet e ndarjes kanë rënë, madje, në vlerësimin tim nuk kanë qenë ndonjëherë aq të mëdha sa të përligjnin gjithë atë luftë që është konsumuar midis PDR-së dhe PD-së. Bashkëqeverisja i sheshoi edhe më tej këto nuanca politike dhe është normale, është hera e parë që në Shqipëri shkrirja e dy partive që kanë qenë një parti dikur. Ky është procesi i bashkimit të pjesëve të PD-së që përgjatë viteve janë shkëputur, kjo parti ka përjetuar një proces ndarjeje dhe tani është në një proces bashkimi. Ilustron politkën e hapjes që ka nisur që më 2000 në PD.

A është kjo karta e fitimit të zgjedhjeve 2009?

Jo, absolutisht. Nuk flitet për kartë fitimi. Kjo është një gjë që po ndodhte, por si i thonë një fjale, “T i japim Cezarit atë që i takon Cezarit” një krahasim që edhe nuk shkon shumë, çdo krahasim çalon, dhe kartat e fitores së PD-së janë të tjera sigurisht. Janë ato që kanë të bëjnë me realizimin e premtimeve elektorale, karta të reja do të duhet të gjenden, për të motivuar demokratët në veçanti dhe zgjedhësit në përgjithësi. Por kjo nuk është një gjë elektorale. Sigurisht që në PD, kthimet dhe bashkimet kanë pasur karakteristika të ndryshme, ka pasur kthime që kanë sjellë edhe vota, ka të tilla që janë të rëndësishme në një plan psikologjik. Por për zgjedhjet 2009 kemi dhe kërkohen karta të tjera.

Pra kthimi i tyre nuk do të sjellë vota?

Është një aspekt. Nuk mund ta trajtojmë si një lëvizje që përbën kartën fituese në zgjedhje, sepse nuk do të ishte një tejkalim i madh i votuesve.

Për sa i përket përfshirjes së strukturave të ish- PDR-së që do të hyjnë në PD, duhet të jenë më të duruar për përfshirjen drejtpërdrejt në strukturat e larta drejtuese në PD?

Nuk e di cili është modaliteti. Por kam bindjen se tashmë strukturat e PDR-së, që pranojnë shrirjen në parti, kanë pranuar liderët e partive, por procesi vazhdon në bazë. Këta do t u nënshtrohen rregullave të statutit të PD-së tashmë. Në PD postet fitohen me garë, me votim të fshehtë, me gara të hapura, me kandidatë alternativë. Sepse kam vënë re që ka një keqkutim këtu, në qoftë se u shkrinë tani PDR-ja këta do të vijnë të udhëheqin. Domethënë do të konkurrohet. Edhe ne që jemi kthyer më parë jemi votuar në Kongresin e partisë dhe jemi mbuluar me votë që kemi marrë ndonjë përgjegjësi dhe jo se na është falur si një dhuratë.

Intervistoi Plarent Shehu
Ky lajm është publikuar: 31/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›