Lulëzim Basha, autokritikë kunatit
Antena brenda familjes
I dashur Erion!
Jam i detyruar të të bëj këtë letër ndjese, se s’kam kurajë ta bëj, kur të kam përballë. Më pritet gjuha dhe gjithë fuqitë që kam shumëzohen me zero, kur mendoj se ç’dëm të madh që të kam bërë.
Ti më je gjendur pranë në gjithë ditët e vështira, sidomos pas vitit 1997. Nuk dua të përmend as ndihmat financiare, as sakrificën që ju bëtë pas rënies së VEFA-s dhe as qëndrimin tuaj në Holandë pranë meje në kohë të vështira financiare për mua. Unë duhet t’ua shpërbleja ju një ditë. Po ja që nuk munda.
Të thashë që në fillim se bizneset me Fazlliçin janë fitimprurëse, por delikate. E kishim bërë planin shumë të qartë që gjatë fushatës. Të thashë bëj kujdes që ta ndihmosh në momente kyçe, se atij nuk i duhen firmat për biznes, por për “gola” të mëdhenj. Dhe e nisët shumë mirë. Regjistruat që javën e dytë të pushtetit tri firma. U bëre në të tria administrator. Po ti ishe i shqetësuar, pse Fazlliçi nuk të vinte në punë. Nuk kishte si të të vinte, se firmat s’kishin punë, ato thjesht prisnin ditën të bënin paratë. Ti u mërzite kot. Me ato dy firmat e tjera që ua shiti atyre shqiptarëve të Maqedonisë ti mund t’i kishe kërkuar një pjesë, se ato lidhje unë ia kam krijuar atij. Nejse, ti u tregove i dobët. S’i kërkove pjesë të madhe menjëherë dhe ai u detyrua të dha makinën që bën 100 mijë euro.
Më pas gjithë problemin na e ke krijuar te “shitja e madhe”. Aty na ke futur të gjithëve në telashe, pasi thua që ke ikur para se të shitej. Por ato dreq letra i kanë kapur dhe vendimi për shitje i firmës është marrë në maj nga ortaku i vetëm, kurse dorëheqja nga administrator është bërë dhjetë ditë më pas. Nejse, ishallah nuk u shkon në mendje kjo gjë.
Gabimin e dytë e keni bërë me firmat e reja që hapët në rrugën “4 Shkurti”, godina nr. 26. Ma keni nxjerrë bojën fare. Nuk kishit pse vendosnit selinë në një banesë ku unë kam jetuar deri më 2007, se duket sikur janë biznese të miat. Duhet të ishe treguar më i kujdesshëm. Për këtë u nxeha shumë dhe ia thashë dhe gruas sime, por ajo ti e di që është pak e sertë dhe më tha: “Mos të të dëgjoj më të flasësh për këtë temë”.
Gabimin e tretë e ke bërë që je lidhur me këtë të firmës “Teqja”. Po të më kishe pyetur një herë o burrë, se ai është çun i mirë, po e ka ves këtë që lidhet gjithmonë me fëmijët e të mëdhenjve. Deri më 2005 e kishte një biznes me çunin e Fatos Nanos. Pastaj pyeti kush është djali i kryeministrit dhe i kanë thënë për mua, dhe ai të kapi ty. Këtu na fute në telash, se ai burri të mbrojti fort në Kuvend ty dhe atë si demokrat të persekutuar nga prokuroria. Pastaj atij i kishte vajtur një sms që i thoshte se Isufët janë familja më enveriste e Kurveleshit, kurse te fisi Teqja ka martuar motrën Hekuran Isai. Dhe i binte që ai burri të mbronte si të persekutuar politik njerëzit e Hekuran Isait dhe Gramoz Ruçit. Këtu më vure në pozitë të vështirë, se ti i bën nxituar punët. Dhe atë punën e karburantit në autostradë që ma përmendi ai i gazetës “TemA”, ti ma ke bërë gjëmën që u ke marrë lekë, se unë nuk të thashë merri. Po nejse, ajo iku.
Tani dua të të kërkoj ndjesë për moskomunikimin dhe telashet që të kam hapur, por duhet të të sqaroja më parë se dhe ti ke bërë gabime. Prandaj është mirë t’i sheshojmë dhe të ecë puna normalisht. Kur mendoj që je gjallë e shëndosh, harrohen të gjitha, se ai tjetri e kishte baxhanak dhe iu vra në krye të punës, pa pyetur fare për rëndësinë e tij.
Të uroj shëndet dhe të më falësh për telashet, por të kam thënë, mos bëj biznes pa lejen time.
I yti, Luli