E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimet e vjeshtës, mbi 2000 maturantë mbetës

Autori i Lajmit: red.
Rreth 75% e nxënësve të gjimnazeve dhe të gjithë shkollave të mesme, që rezultuan mbetës në sesionin e parë të provimeve të Maturës Shtetërore kanë arritur të kalojnë në provimet e detyrueshme të maturës. Por ngelësit nuk kanë qenë të paktë në numër edhe në këtë sesion të dytë provimesh. Sipas drejtorit të Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve, Edmond Lulja, mbetës janë 927 nxënës në letërsi dhe 1200 në matematikë. "Në provimet e vjeshtës të Maturës Shtetërore, ku morën pjesë rreth 8800 nxënës, kanë rezulatuar kalues rreth 75 për qind e maturantëve", - tha dje, drejtori i Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve (AVA), Edmond Lulja. Sipas tij, në provimin e gjuhë-letërsisë u paraqitën mbi 3900 maturantë, prej të cilëve, 927 rezultuan jokalues në provim, ndërsa në provimin e detyruar të matematikës morën pjesë 4900 maturantë, nga të cilët jokalues në provime rezultojnë 1200 nxënës. Me mbarimin e sesionit të dytë të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, nxënësit përfundojnë vitin shkollor 2007-2008. Kjo pjesë e maturantëve nuk mundën të marrin notë kaluese në dy provimet me detyrim, D1 dhe D2. Ridhënia e provimeve dhe marrja e notës kaluese nuk u vlen për t u pranuar në universitete për këtë vit akademik, pavarësisht kuotave të mbetura bosh në fakultete. Por vetëm vitin e ardhshëm ata do të mund të marrin pjesë në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, nëse do të dëshirojnë të ndjekin studimet e larta.
Ky lajm është publikuar: 31/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›