E Diel, 1 Nëntor 2026

“Opozita të votojë ligjet që shërbejnë në përmirësimin e Administratës Publike”

30-05-2012 / Gazeta 55

Shefi i ekzekutivit merr pjesë në konferencën informuese për ecurinë e reformës në Administratën Publike

Kryeministri Sali Berisha e cilësoi dje refomën në administratën publike si një problem themelor të funksionimit të shtetit në tërësi. Këto vlerësime, Kryeministri i bëri dje në konferencën informuese për ecurinë e reformës në Administratën Publike të vendit. Të pranishëm në këtë konferencë ishin ministri i Brendshëm Bujar Nishani, Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri Ettore Sequi, Drejtoresha e Shërbimit Civil të vendit Blerta Selenica, drejtues të shërbimit civil të institucioneve të vendit, etj.
Sipas Kryeministrit, "shërbimi civil është shërbimi kryesor i shtetit, i cili përbën në këtë kontekst një pasuri shumë të madhe. Funksionimi i tij është një garanci për mbrojtjen e interesit publik, gjithnjë në përmirësim ndaj qytetarëve, është kusht themelor për një qeverisje të mirë".
Ndërkohë, vijoi Kryeministri, "qeveria po përgatitet për të hapur shkollën e Administratës Publike, që do të garantojë kualifikimin e vazhdueshëm të punonjësve të administratës. Kalimi i ligjit të Gjykatës Administrative dhe vendosja e sistemit të Gjykatës Administrative dhe projektligji për organizimin dhe funksionimin e Administratës Publike do të ndihmojnë në konsolidimin e mëtejshëm të shërbimit civil në Shqipëri".
Kryeministri ftoi opozitën për votimin e ligjeve që shërbejnë në përmirësimin e shërbimit të Administratës Publike.
"Të bashkëpunojmë me opozitën që këto ligje shumë të rëndësishme për shërbimin më të mirë të Administratës Publike të votohen sa më shpejt në parlament dhe të hyjnë në fuqi sa më shpejt", tha Kryeministri Berisha.
"Do bëjmë gjithçka që të mbetemi një administratë e vogël dhe qeveri e vogël. Shqipëria nuk do të shndërrohet ndonjëherë në një administratë të madhe. Një nga shkaqet e kësaj krize, që përjetojnë vendet e Europës së zhvilluar, është administrata e zgjeruar, tha Kryeministri Berisha, duke shtuar se, duhet të bëjmë përpjekje maksimale për kualifikimin e administratës tonë".
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Bujar Nishani u shpreh se, konsolidimi i Shërbimit Civil është një nga objektivat kryesore të qeverisë shqiptare.   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›