“Momentet po kalojnë, ekzistojnë të gjitha kushtet për të gjetur një president konsensual”

Flet Vangjel Dule, pas takimit me Kryeministrin Sali Berisha
Kryetari i Partisë Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, tha dje, pas takimit me Kryeministrin Sali Berisha, për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, se “është me rëndësi që presidenti i ri të vijë nga radhët e politikës”. “Një president jo nga radhët e politikës zhvlerëson rolin e politikës dhe politikanit në opinionin publik dhe shoqëri. Ekzistojnë të gjitha kushtet për të gjetur një president konsensual, i cili do të kalojë edhe kërkesën kushtetuese të tre raundeve të para edhe për 84 vota”, theksoi Dule.
Kryetari i PBDNJ-së u shpreh se, “sigurisht momentet po kalojnë dhe nuk do të jetë aspak pozitive, që në seancën e nesërme (sotme) parlamentare të shkojmë pa kandidaturë. Një proces serioz do të kërkonte që prej ditësh opinioni dhe qytetarët të ishin njohur me mendimet e forcave politike që i përfaqësojnë në lidhje me kandidaturat përkatëse, që do të ishin edhe objekt diskutimesh për arritjen e konsensusit”.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve nëse u fol me Kryeministrin Berisha për emra konkretë dhe për një propozim të PBDNJ për ish-kryeministrin Fatos Nano, Dule tha se, “emra konsensualë ka në radhët e politikanëve të të gjitha forcave politike, aktivë për momentin apo të tërhequr. Në lidhje me kandidaturën e Fatos Nanos përditë e më tepër po konstatojmë se bëhet edhe më e pranueshme prej palëve dhe ka shumë gjasa që ajo do të arrijë konsensusin e të gjitha forcave politike”.