E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Kryetarëve miraton kalendarin e shqyrtimit në Komisione të Projektbuxhetit për vitin 2010.

   Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, u zhvillua të shtunën, më 14 nëntor 2009 mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku u prezantua projektbuxheti për vitin 2010 nga Ministri i Financave, Ridvan Bode.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe kryetarët Komisioneve Parlamentare të Kuvendit, puna e të cilëve gjatë kësaj periudhe do të përqëndrohet në shqyrtimin e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, që konsiderohet edhe ligji më i rëndësishëm që kalon në Kuvend. Kryetarja Topalli në hapje të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, tha, ndër të tjera, se nga një vështrim i përgjithshëm projektbuxheti i paraqitur rezulton mjaft ambicioz.
Ky është buxheti i sfidës së madhe, buxheti i kurajos së madhe. Një buxhet që parashikon që 9-10% të shkojë përsëri për investime, ndaj quhet buxheti i guximit. Një buxhet në të cilin investimet do të zenë pjesën kryesore, bazuar në doktrinën ekonomike të adaptuar edhe në vitet e kaluara, tha Kryetarja Topalli, duke nënvizuar se kjo doktrinë ekonomike bëri të mundur që Shqipëria të ndjejë më pak se vendet e tjera krizën globale financiare.   Në vijim, Konferenca e Kryetarëve dëgjoi Ministrin e Financave, i cili paraqiti në detaje projektbuxhetin për vitin 2010.
Ndër të tjera, zoti Bode nënvizoi se diskutimi i detajuar dhe me një përfshirje sa më të gjerë të projektbuxhetit do të mundësojë që të rritet numri i individëve dhe qendrave që do të jenë të interesuar jo vetëm në debatimin e buxhetit, por edhe në zbatimin e tij.
Gjatë prezantimit, zoti Bode vuri në dukje se prioritetet për projektbuxhetin e vitit 2010 mbeten sektorët e arsimit, shëndetësë, bujqësia, rritja e pagave dhe pensioneve, që parashikohet të arrijë 7-10% dhe 4-10% respektivisht dhe rritja e investimeve në infrastrukturë.
  Në fjalën e tij përpara Konferencës së Kryetarëve, Ministri i Financave u ndal në reformat e thella, të cilave pritet ti nënshtrohet sektori i shëndetësisë, ku në fokus parashikohet të jenë pacientët dhe kostot e kurimit të tyre, reformat administrative, që parashikojnë një shkurtim të shpenzimeve administrative, reforma për mbështetjen sociale, që parashikon një rishikim të përdorimit të këtij fondi, ku prioritet do tu familjeve që nuk kanë mundësi të përmirësojnë jetesën e tyre, etj.
Fondi rajonal për investime, fondi për financimin e infrastrukturës rrugore të bashkive dhe komunave, politikat zhvilluese rajonale, si dhe rritja e granteve konkuruese, ishin zëra të tjerë të projektbuxhetit të paraqitura nga Ministri i Financave.
Pas prezantimit të projektbuxhetit, Kryetarja e Kuvendit tha:   Buxheti është politika e shtetit. Aty projektohen të gjitha drejtimet kryesore, nxitjet kryesore të zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë. Buxheti i prezantuar nga Ministri tregon se ky është një konfirmimim dhe fillim i mbajtjes së premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale. Është një sfidë e jashtëzakonshme fakti që, siç tha Ministri, në vitin e ardhshëm mendohet të ardhurat të rriten dy herë se vetëm pesë vjetë më parë. Është i jashtëzakonshëm fakti që buxheti vazhdon të rritet përsëri, që investimet përbëjnë 10% të GDP-së ose 30% e buxhetit shkon në investime. Është një politikë konservatore dhe e matur ulja e borxhit dhe e deficitit. Është një reformë që duhej filluar ajo mbi fondin e ndihmës sociale. Absolutisht janë prioritare shëndetësia, arsimi dhe bujqësia dhe unë dua tju jap mirëkuptimin më të madh për uljen e shpenzimeve administrative për të bërë të mundur vazhdimin e rritjes së pesioneve, rrogave, vazhdimin e mbështetjes së shërbimeve dhe të fondeve në shëndetësi dhe në arsim. 
Në vijim, Ministri Bode iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve në lidhje me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e shqyrtimit të projektbuxhetit, që do tu shërbejë komisioneve për të hartuar programin e punës së tyre për shqyrtimin e projektligjit Për buxhetin e shtetit të vitit 2010.   Më pas, Kryetarja e Kuvendit në përgjigje të interesimit të mediave tha:    Isha unë që kisha ftuar ambasadorët për çështje që kanë lidhje me drejtësinë dhe për mbështetjen që përmes ekspertizës ata mund të japin. Absolutisht dialogu është i nevojshëm dhe dialogu, dhe çdo kompromis bëhet në Parlament. Unë do të dëshiroja që me rastin e buxhetit që është momenti themelor kur përcaktohet rritja e rrogave, rritja e pensioneve, investimet që do të bëhen, ulja e deficit buxhetor, ulja e shpenzimeve operative, është një rast për të ardhur në parlament dhe për të kontribuar në atë që është momenti ekonomik, natyrisht edhe në të gjitha reformat e tjera.
                                 
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›