E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit merr pjesë në mbledhjen e Unionit Ndërparlamentar në OKB

  Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli është nisur për në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është e ftuar të marrë pjesë në një prej takimeve më të rëndësishme të Unionit Ndërparlamentar në pallatin e OKB-së.   Kjo konferencë do të përbëjë takimin e  dytë të  Komitetit Përgatitor për Konferencën e Tretë Botërore të kryetarëve të parlamenenteve, që pritet të mbahet në vitin 2010.   Zonja Jozefina Topalli është e para Kryetare Kuvendit nga Shqipëria që bëhet pjesë e këtij komiteti të ngushtë prej rreth 20 kryetarë parlamentesh, të  përzgjedhur prej 186 anëtarëve të IPU-së.   Dinamizimi i rolit të parlamenteve në sfidat botërore, prioritetet e Kombeve të Bashkuara, kriza financiare globale, forcimi i bashkëpunimit të parlamenteve mes tyre dhe Kombeve të Bashkuara, strategjitë e ardhshme politike dhe ekonomike ndërparlamentare, ndryshimet klimaterike do të jenë temat qendrore  të diskutimeve të Konferencës.   Në këtë konferencë, e cila konsiderohet shumë thelbësore për nga rëndësia, Kryetarja e Kuvendit do të jetë bashkë me Kryetaren e Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer, Kryetarin e Bundestagut gjerman Norbert Lammert, dhe Marc Laffineur, nënkryetar i parlamentit të Francës. Të pranishëm do të jenë edhe anëtarë të parlamenteve të Australisë, Jordanisë, Indonezisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut.    Gjatë punimeve të Konferencës, Kryetarja e Kuvendit do të zhvillojë edhe takime të veçanta dypalëshe me Kryetarët e Parlamenteve, si edhe me personalitete  të rëndësishëm të OKB-së.

 


   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›