E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Kryetarëve sot vendos për komisionin ad hoc

Monitorimi i zgjedhjeve

“PS qëndrim absurd, abuzon me përgjigjen e mazhorancës për ngritjen e komisionit, tenton uzurpimin e tij”

TIRANE - Konferenca e kryetarëve e grupeve parlamentare mblidhet sot, për të marrë një vendim lidhur me kërkesën e PS-së për ngritjen e një komisioni ad hoc që do të monitorojë përgatitjen e procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009.
Në mbledhjen e realizuar fundjavën e kaluar, Konferenca e kryetarëve ndeshi me kontestimin e socialistëve, pasi PS nuk e pranoi propozimin e PD-së, që komisioni të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, por tentoi të uzurpojë kryesimin e komisionit dhe të anëtarëve të tij, duke lënë të nënkuptuar se skenari ishte i mirëpërgatitur, për të arritur këtë synim.
Ndonëse parimisht të dyja palët, si mazhoranca dhe opozita, mbështetën ngritjen e këtij komisioni, konsensusi mungoi për mënyrën e drejtimit të tij. Më parë, përfaqësues të PS-së në parlament paraqitën zyrtarisht kërkesën e tyre për të kontrolluar përgatitjen e proçesit. Pak orë më vonë, kryeministri Sali Berisha përkrahu nismën e opozitës duke e ftuar atë të ushtrojë gjithë kontrollin që dëshiron për përgatitjen e një procesi zgjedhor transparent, por PS po tenton të abuzojë me të drejtën që i dha mazhoranca.
Prandaj numri i anëtarëve të këtij komisioni mbetet ende i diskutueshëm, megjithëse deri më tani janë propozuar 7 anëtarë, ku ndër to, 4 anëtarë nga Partia Demokratike dhe 3 anëtarë nga Partia Socialiste.
Edhe pse mazhoranca i’u përgjigj kërkesës së opozitës për ngritjen e këtij komisioni, janë sërish vetë socialistët që nuk kanë pranuar propozimin e demokratëve që komisioni të drejtohet nga dy bashkëkryetarë. Pretendimet e socialistëve shkojnë deri aty sa të mohojnë të drejtën e mazhorancës të përfaqësohet me një bashkëkryetar duke qenë se qeveria drejtohet nga Partia Demokratike.
Lidhur me këtë pretendim të socialistëve, Partia Demokratike bën me dije se mazhoranca, si çdo grupim tjetër parlamentar ka të drejtë të ushtrojë kontrollin e saj mbi qeverinë, veçanërisht për procesin zgjedhor.
Nisur kjo edhe nga praktikat parlamentare të viteve të fundit, ku komisionet e posaçme, janë drejtuar me bashkëkryetare nga mazhoranca dhe opozita, dhe ky rast, nuk duhet të bëjë përjashtim.
Megjithatë, sot mbetet për t’u parë nëse do të mbizotërojë konsensusi gjatë mbledhjes së Konferencës së kryetarëve, duke i hapur rrugë kështu, ngritjes së komisionit të posaçëm për monitorimin e përgatitjes së procesit zgjedhor dhe të nisë funksionimi i tij, me mbështetjen e të gjitha palëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›