E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Milo përplasen në Berat, dy koalicionet e së majtës parathonë disfatën e njëra-tjetrës

Kreu i LSI Meta dhe ai i PDS-së Milo kanë kryer dje një “provë teknike” të asaj çka pritet që të jetë beteja e ashpër brendapërbrenda kampit të majtë për grabitjen e mbështetësve të njëri-tjetrit

TIRANE - Ish-aleati i dikurshëm i Ilir Metës, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ka replikuar dje në qytetin e Beratit me drejtuesin e Lëvizjes Socialiste për Integrim duke e paralajmëruar këtë të fundit për disfatë në përballjen elektorale të 28 qershorit të ardhshëm. Gjatë një takimi të zhvilluar me anëtarë dhe simpatizantë të PDS-së në qytetin e Beratit Milo ka lëshuar për herë të parë shkëndijat e një serie përplasjesh të ashpra që mendohet se do të konsumohen gjatë fushatës zgjedhore brenda vetë kampit të majtë të ndarë tashmë në 2 koalicione të veçanta.
Duke shprehur besimin në fitoren e koalicionit të majtë të drejtuar nga kryesocialisti Edi Rama zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Milo theksoi se “çdo përpjekje dhe tentativë që do të bëhet për t’ju kundërvënë këtij koalicioni nga ana e opozitës do të dështojë”, duke i nënkuptuar këtu koalicionin e drejtuar nga ana e Ilir Metës. Ndërkaq Partia Demokracia Sociale e Milos ka zyrtarizuar bashkëpunimin e saj me Partinë Socialiste.
“Tashmë Demokracia Sociale ka shpallur koalicionin me Partine Socialiste, një koalicion që me siguri do të jetë koalicioni fitues i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe këtë nuk e them për t’u bërë më optimist se ç'duhet po këtë e jap si një mesazh të përbashkët dhe në emër të kryetarit të PS-së Edi Rama, i cili më ka autorizuar para dy ditësh që t’u përcjell jo vetëm një mesazh përshëndetje por edhe një mesazh bashkëpunimi që ne do të kemi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në emër të fitores së përbashkët të opozitës në Shqipëri”, deklaroi Milo.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtuesit të LSI-së, Ilir Meta pak orë më vonë. Gjatë një takimi të zhvilluar me të rinjtë në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani të qytetit, Meta ka premtuar se me 28 qershor shqiptarët do të votojnë për alternativën më të mirë, që sigurisht sipas Metës vjen nga LSI-ja.
“Besoj shumë se LSI-ja me të gjithë ato personalitete të shquara që janë bashkuar me alternativën tonë dhe në veçanti besoj shumë tek kjo energji e jashtëzakonshme e rinisë së Beratit dhe e rinisë në të gjithë Shqipërinë, që ne në 28 qershor të jemi pikërisht alternativa ku do të mbështeten shumica e shqiptarëve për t'i dhënë Shqipërisë demokracinë e kërkuar, për t'i dhënë shqiptarëve lirinë dhe dinjitetin që ata kërkojnë dhe për të dënuar njëherë e mirë regjimin e monopoleve që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë dhe për të luftuar me program varfërinë e shqiptarëve”, theksoi Meta.
Kreu i LSI-së garantoi se, po vjen ora për të vendosur demokracinë dhe lirinë e munguar në këtë vend, po vjen ora e një alternative gjithëpërfshirëse dhe që i jep shpresë gjithë shqiptarëve, dhe kjo sipas Metës, është Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Lëvizja Rinore për Integrim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›