Konferenca e Londrës, ndërrohet strategjia në Afganistan
Bashkësia ndërkombëtare do të shtojë dhe riorganizojë angazhimin e saj civil dhe ushtarak në Afganistan. Në vazhdën e përpjekjeve për stabilizimin e vendit është i nevojshëm një shtim i trupave të NATO-s dhe njëkohësisht një shtim të trupave të ndihmës civile për rindërtim, tha kryeministri britanik Gordon Brown në fillim të konferencës ndërkombëtare për Afganistanin që zhvilloi punimet në Londër.
"Sot si komunitet ndërkombëtar ne konfirmojmë se shtimi i përpjekjeve tona ushtarake duhet të shoqërohet me përmirësim në qeverisje dhe në zhvillimin ekonomik.
Ne ramë dakord që të mbështesim tranzicionin në çështjet e sigurisë, që duam të arrijmë në çdo provincë me një marrëveshje për një plan të koordinuar civil", tha Brown. Presidenti afgan, Hamid Karzai sqaroi se vendi i tij është i gatshëm që të marrë përsipër më shumë përgjegjësi për sigurinë. "Ne do të vazhdojmë të reformojmë institucionet tona shtetërore. Ne kemi nevojë për të forcuar menaxhimin drejtues dhe mbikqyrjen e kapaciteteve të shërbimit tonë civil si dhe institucionet tona demokratike. Ne duhet të racionalizojmë ligjet tona, rregulloret dhe procedurat në mënyrë që qeveria të mund të punojë e çliruar nga korrupsioni dhe vendim-marrja arbitrare", tha Karzai.
Përfaqësues të rreth 60 vendeve dhe të dhjetë organizatave ndërkombëtare u konsultuan të enjten në Londër për ecurinë e mëtejshme në Afganistan.