Konferenca e PS, Mima: Ekspertët kërkuan rritje të ekonomisë, jo taksave
Ministri Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Florion Mima, reagon ndaj konferencës së Partisë Socialiste “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër” me fokusin nga ekonomia. Sipas Ministrit të METE-s, ekspertët e huaj këshilluan njëzëri qeverinë e re të bëjë kujdes me taksat për të shmangur një recension. Por Mima tha se pavarësisht porosive të miqve të tyre, Ministrat e rinj po veprojnë krejt ndryshe. “Ndërsa në diskutimet mbi territorin ishin të pranishëm një grup klientësh të zotit Rama, nuk mund të lë pa nënvizuar se pjesë e konferencës ishin ekspertë të nderuar të ekonomisë. Ekspertët e huaj theksuan se përpjekja më madhore duhet të jetë shmangia e rënies së ekonomisë në recesion. Ekspertët e huaj kërkuan kujdes për taksat. Këshilla për të rritur ekonominë dhe jo taksat ka rënë në vesh të shurdhër të atyre që po përgatitin projektin për çmontimin e taksës së sheshtë”- theksoi Mima.
Ministri në detyrë Florion Mima hodhi poshtë edhe akuzat e socialistëve në lidhje me koncesionet e dhëna. Sipas kreut të ekonomisë në shtator Ministrat e rinj do të kenë në dorë të gjithë dokumentet që vërtetojnë se nuk është bërë asnjë shkelje.
“Ministrat e rinj që do të marrin detyrën në shtator do të kenë mundësi të kalojnë në lupë çdo koncesion, sikundër do të gjejnë në tryezat e tyre dhjetëra projekte madhore e reforma të rëndësishme të ndërmarra përgjatë këtyre viteve nga qeveria demokratike”- tha ai.
Mima i kërkoi qeverisë së re që pritet të vijë në shtator që të njohë arritjen e bëra nga qeveria Berisha deri më tani. Qeveria socialiste sipas programit pritet të ndryshojë sektorin e ekonomisë dhe të financave, duke ndryshuar sistemin e taksave apo krijimin e institucioneve të reja rregulluese.