Analiza e “The Economist”: Premtimet e bëra nga Edi Rama, të parealizueshme
Prestigjiozja britanike, “The Economist” në një analizë të gjatë të saj për zhvillimet politike në Shqipëri, ndalet te zgjedhjet e 23 qershorit, duke analizuar ekipin fitues, atë të kryesuar nga Partia Socialiste. Sipas “The Economist”, premtimet e bëra nga kreu i PS, Edi Rama përmes të cilave erdhi në pushtet, janë të parealizueshme. Ndërkaq, prestigjiozja britanike shpjegon gjithashtu se, emrat e mëdhenj të PS-së kanë mbetur të pakënaqur nga krijimi i Qeverisë së re pasi prisnin që të vlerësoheshin me vende pune pas zgjedhjeve. Sipas revistës, ata për momentin do ta mbështesin Ramën, ashtu siç do të bëjë edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Një bashkë-kryeministër e quan “The Economist”, ndërsa shton: nëse ndonjë nga palët do të tregojë dobësi, thikat do të rishfaqen.
Artikulli citon ministrin e ardhshëm, Erion Veliaj, të theksojë nevojën për çrrënjosjen e evazionit fiskal. Sipas tij, taksa e sheshtë do të zëvendësohet me një system të drejtë taksash, por Veliaj ne prononcimin e tij nuk përmend fjalën “progresive”.
“The Economist” pohon se disa prej premtimeve elektorale të socialistëve do të jenë të vështira për t’u mbajtur. 300 mijë vendet e punës të premtuara në fushatë citohen në shkrim. Ekspertë të huaj të pyetur nga revista, shtojnë se Shqipëria ka mundësi të shumta, por ka gjithashtu një vizion të kufizuar.
Ajo që revista britanike pohon me siguri është fakti se pavarësisht nga kriza ekonomike ndërkombëtare, Shqipëria arriti të mos bjerë në recesion. “Një nga vendet e pakta evropiane që nuk kanë përjetuar recesion vitet e fundit”, thekson “The Economist”.