E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ kërkon shkarkimin e Barkës, nuk iu bind Dules për emërimet

PBDNJ duket se do e çojë dhe një herë një anëtar të kabinetit “Berisha” drejt votimit në Kuvend. Kjo, pasi Kryesia e PBDNJ-së ka vendosur dje t’i kërkojë kryeministrit shkarkimin e Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka. Burime nga PBDNJ, shprehen se propozimi për shkarkimin e Barkës ka ardhur pas refuzimeve për emërime të ndryshme, të kryetarit të kësaj partie Vangjel Dule. Vendimi është marrë në kryesinë e partisë, anëtarët e së cilës votuan unanimisht kërkesën për shkarkimin e Barkës nga posti i ministrit të Punës. “Kryesia e votoi unanimisht kërkesën për shkarkimin e Kosta Barkës, ndërsa është menduar të propozohet një tjetër emër brenda kësaj partie për postin e ministrit të Punës”,- thanë burime brenda kësaj partie.

Por të njëjtat burime shprehen për gazetën “TemA” se Dule që prej tre muajsh ka kërkuar me insistim shkarkimin e Barkës, nga posti i Ministrisë së Punës, por duket se kryeministri Berisha s’i ka marrë shumë parasysh kërkesat e tij për emërime të ndryshme në dikasterin që drejton. Kërkesa e Dules për shkarkimin e ministrit të propozuar prej tij, dhe emërimin e një tjetri emri në këtë post, do të thoshte as më shumë as më pak, por dërgimin për votim në Kuvend të kabinetit “Berisha 5”, gjë e cila do të ndodhte në një moment jo fort të favorshëm për kryeministrin. Kalimet e katër kabineteve të tjera e kanë detyruar këtë të fundit të bëjë aleanca fluide, po të shtojmë që këtë herë në votimin për anëtarin e ri të kabinetit, nuk përjashtohet votimi kundër i PDK, dhe deputetëve të saj. Pra në këto kushte, kur dhe opozita nuk përjashtohet që të kërkojë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë të tij, Berishës i intereson të bëjë veshin shurdh ndaj kapriçiove të aleatit të tij minoritar. Gjithsesi, me këtë qëndrim të kryeministrit Berisha, mund të humbasë dhe votat e PBDNJ-së, dhe sinjalin e parë Dule e dha kur u ul në një tavolinë me krerët e opozitës, pavarësisht se nuk iu përgjigj ftesës së tyre për në protestën e ditës së djeshme.

Barka: Si nënkryetar i PBDNJ, nuk di të ketë vendim kryesie

Në një deklaratë, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka hodhi dyshime për këtë vendim duke thënë se ai nuk është thirrur në asnjë mbledhje të tillë. “Nëpërmjet shtypit, jam njohur me një deklarate individuale të Sekretarit të Përgjithshëm të PBDNJ, sipas të cilit Kryesia e Partisë i ka kërkuar Kryeministrit Sali Berisha zëvendësimin e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta. Duke qenë se përveçse Ministër, përfaqësues i PBDNJ në Kabinetin e koalicionit qeverisës, jam edhe nënkryetar i PBDNJ, mosnjohja ime me këtë vendim të Kryesisë së partisë (sigurisht nëse është vërtet i tillë) është me të vërtetë absurde. Si nënkryetar i Partisë dhe si Ministri për të cilin do të diskutohej, nuk jam ftuar në ndonjë mbledhje formale forumesh që të informohem dhe të shprehem për këtë çështje. Kjo nuk është një çështje personale dhe vendimet e forumeve të partisë nuk janë monopol i askujt. Mendoj se është detyrë e forumeve të PBDNJ t’u japë përgjigje pikëpyetjeve të legjitimitetit përfaqësues të z. Solis dhe raporteve të tij me forumet, partinë, elektoratin dhe minoritetin,” tha Barka.

Ai tha se nëse ka një vendim të tillë ai mund të ketë dhe kosto elektorale. “Unë pranova detyrën e ministrit qe te punoj me përkushtim dhe ndershmëri për t’i shërbyer vendit, popullit shqiptar, minoritetit dhe elektoratit. Performanca ime si Ministër i Kabinetit qeveritar aktual, mund të vlerësohet nga Kryeministri, partia, publiku i gjerë, elektorati që na ka votuar dhe minoriteti grek për të cilin kam punuar dhe do të punoj, e theksoj, me ndershmëri, përkushtim dhe devocion maksimal.

A do të ketë kosto elektorale për PBDNJ kjo situatë? Përgjegjësinë e përgjigjes për këtë pyetje i takon ta marrin ata që provokojnë situata të tilla, mbrapa të cilave sigurisht fshihen qëllime kundër të gjitha interesave të PBDNJ dhe elektoratit të saj,” thuhet në një deklaratë të Barkës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›