Konferenca e Tiranës, Mustafaj: Gjithçka jashtë standardeve
Kandidati për PD-në e Tiranës nuk është informuar ende për konferencën e ditës së hënë
TIRANË- Në një kohë që konferenca e PD-së së Tiranës, pritet të mbahet të hënën në mesditë, kryetari i kësaj partie, Sali Berisha, ende nuk ka mbledhur kryesinë për të caktuar qoftë edhe formalisht kandidaturat që do të votohen në fillim të javës. Jo vetëm që një gjë e tillë nuk po ndodh, por një nga kandidatët kryesorë për këtë garë, Besnik Mustafaj, nuk është vënë ende në dijeni, qoftë edhe si votues i thjeshtë.
Për sa kohë që nuk ka njoftim zyrtar për mbajtjen e një konference të tillë, Mustafaj ka hedhur dyshime se një konferencë e tillë nuk mund të zhvillohet, sepse është jashtë standardeve.
"Unë nuk kam marrë asnjë njoftim për konferencën. Unë jam kandidat, por nuk mblidhet kryesia që ta përcaktojë. Të gjithë anëtarët votojnë në konferencë, por unë as si votues nuk jam njoftuar. Nuk dihet kush janë delegatët, kush do votojë për kryetarin. Nuk besoj se do të zhvillohet Kuvendi, sepse gjithçka është jashtë standardeve", - tha Mustafaj.
Në nenin 27 të statutit të partisë, thuhet se kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga kryesia e përgjithshme e PD-së. "Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat", - thuhet në statut.
Në të ashtuquajturin ligj të funksionimit dhe organizimit të jetës politike dhe organizative të partisë, parashtrohen edhe atributet e kreut të degës. "Kryetari i degës përfaqëson anëtarësinë e partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e kryesisë, fikson rendin e ditës në bashkëpunim me sekretarin përkatës. Ai organizon funksionimin normal të kryesisë dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve dhe orientimeve të saj.
Ai përgjigjet për mbarëvajtjen e funksionimit të partisë dhe shprehjen lirë të çdo anëtari të kryesisë", - thuhet në statut. Megjithatë, përpos asaj që përcaktohet në statut, PD-ja ende nuk ka mbledhur kryesinë për konferencën e ditës së hënë, ku pritet që të zgjidhet kryetari i PD-së, Tiranë. Pak kohë më parë, deputeti demokrat, Besnik Mustafaj, është shprehur se një nga shqetësimet e tij ishte pikërisht rivitalizimi i strukturave.
Ai është shprehur prej kohësh se në PD nuk kanë funksionuar strukturat e partisë, duke shigjetuar kryetarin e PD-së, Sali Berisha, për një shpërfillje nga ana e tij ndaj zgjedhjeve brenda partisë, gjë që në fakt po ndodh edhe kësaj here, duke krijuar një situatë aspak normale.