Meidani: Mbështes Ramën si Kryeministër të vendit
Meidani i ka dorëzuar Ramës "Librin e rekomandimeve", i hartuar nga 400 ekspertë
TIRANË- Një nga figurat historike në PS, Rexhep Meidani, ka deklaruar dje në Konferencën Kombëtare për Programin se Partia Socialiste është më shumë se një parti politike. Në cilësinë e kryetarit të bordit të fondacionit "Qemal Stafa", Rexhep Meidani i ka dorëzuar dje Kryetarit të PS-së, Edi Rama, kopjen e vetme të "Librit të Rekomandimeve", i hartuar nga ky fondacion, pas më shumë se 2 vite intensive konsultimesh të gjera me ekspertë, intelektualë dhe akademikë. "Ajo që ne besojmë është shumë më e madhe se vetë politika.
Ajo që na bashkon ne socialistëve e progresistëve është më shumë se sa vetëm tradita. Besimet tona janë të forta dhe të bazuara në vlerat themeltare të demokracisë, lirisë, solidaritetit dhe të drejtave për të gjithë njerëzit.
Ne të gjithë dëshirojmë që Shqipëria të ecë në rrugën e përparimit e progresit, duke ndërtuar shkolla më të mira për fëmijët tanë, duke siguruar një sistem pensionesh që mundëson kujdes dhe demonstron respektin që të moshuarit meritojnë, një sistem të kujdesit shëndetësor të arritshëm dhe të mundshëm për të gjithë shqiptarët, më shumë vende pune dhe rroga me dinjitoze, një jetë më cilësore dhe më shumë shpresë e mundësi për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për një klan të privilegjuar njerëzish",- tha dje Meidani, duke shtuar se kjo është arsyeja që Edi Rama do të udhëheqë PS-në në rrugën e fitores së zgjedhjeve të 28 qershorit.
"Edi Rama është njeriu që do të udhëheqë Shqipërinë drejt një të ardhmeje më të mirë. Ai është njeriu që ka një vizion të qartë dhe ka provuar që di të bëjë ndryshimin. Suksesi i tij në Tiranë ka përcaktuar modelin e së ardhmes, duke përcjellë jehonën e tij në tërë botën. Dhe pikërisht për këtë ai njihet si kryetari më i mirë i bashkisë në botë. Unë shikoj ndryshimet që ai ka sjellë në kryeqytetin tonë dhe e besoj se ai do të drejtojë Shqipërinë me të njëjtin vizion, dëshirë e pasion, siç ka drejtuar Tiranën",- tha Meidani.
Ai theksoi se Rama është mundësia për t'u shkëputur nga ajo pjesë e së shkuarës, për të cilën Shqipëria dhe të gjithë kanë nevojë të shkëputen. "Unë e kam njohur Edin prej shumë vitesh dhe jam krenar ta quaj atë mikun tim, dhe do të jem shumë krenar ta kem atë Kryeministër",- tha Meidani
Falënderimi i Meidanit
"Libri i rekomandimeve", i konsultuar me më shumë se 400 ekspertë në fusha të ndryshme, të tilla si ekonomia, drejtësia, politika e jashtme dhe integrimi evropian, punësimi dhe rregullimi i territorit, iu dorëzua dje Kryetarit të PS-së, Edi Rama, nga kryetari i bordit të fondacionit "Qemal Stafa", Rexhep Meidani.
Ky i fundit ka falënderuar
ekspertët Shkëlqim Cani, Ditmir Bushati, Gent Ibrahimi, Artan Lame, Kosta Bajraba dhe drejtorin ekzekutiv të fondacionit "Qemal Stafa", Saimir Tahiri, për koordinimin dhe drejtimin me sukses të këtij procesi. Konsultimet "Me Dyer të Hapura", filluan si një iniciativë për të pasuruar procesin e hartimit të programit qeverisës të PS-së me mendimin e pavarur të të gjithë ekspertëve në fusha të ndryshme.