E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ligji për sigurimet shoqërore të policisë, antikushtetues"

Shoqatat e policëve në lirim, kundër Kuvendit: Ligji u miratua në mënyrë të fshehtë, duke shkelur afatet


TIRANË- Miratimi nga Kuvendi i ligjit të ri për trajtimin e punonjësve të policisë është kundërshtuar dje nga shoqatat e policisë. Kreu i organizatës së punonjësve të policisë në lirim, Besnik Bakiu, ka pohuar dje se projekti është i turpshëm dhe antikushtetues. Madje, edhe mënyra se si ai ka kaluar në qeveri e më pas në Kuvend, është shumë e dyshimtë.


"Thuhet që është miratuar me vendim të qeverisë, më datë 15 prill, por në faqen elektronike të saj, ku flitet për vendime e projektligje, nuk gjendet. Është dërguar dhe protokolluar në sekretarinë e Parlamentit në datën 13 maj, pra për të kaluar një distancë 20 metra nga godina e Kryeministrisë në atë të Parlamentit, duhet gati një muaj. Me procedurë të përshpejtuar dhe në kundërshtim me çdo normë u diskutua vetëm në Komisionin e Ekonomisë, pa kaluar as në Komisionin e Ligjeve as në atë të Sigurisë Kombëtare, u kalua në seancë parlamentare dhe u miratua",- tha dje Besnik Bakiu.

Sipas tij, krijimi i këtij ligji është i pamotivuar, pasi trajtimi i punonjësve të Policisë së Shtetit është rregulluar me një paketë të plotë ligjore e nënligjore. Madje, ai konsiderohet si vazhdim i reformës që largoi nga puna tre mijë oficerë policie pa bërë asnjë studim dhe pa zbatuar kritere ligjore të përcaktuara, por vetëm sipas dëshirave subjektive. Ligji i ri i miratuar në Kuvend ka fuqi prapavepruese dhe kjo, sipas policëve në lirim, bie haptas në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, duke cenuar parimin e shtetit të së drejtës.

Deri në miratimin e ligjit, organizata e punonjësve të policisë në lirim ka ndjekur të gjitha rrugët ligjore, duke bërë lobing që të mos miratohet. "Ne kemi studiuar projektin dhe i kemi dhenë rezervat tona ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Kemi informuar institucionet ndërkombëtare. Aktualisht po përgatisim ankimimin te Presidenti i Republikës për të mos e dekretuar. Ne kemi besim se zoti Topi do të ketë integritetin, kulturën dhe përgjegjshmërinë për të kundërshtuar dhe mos e dekretuar këtë ligj.


Nëse ligji dekretohet ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Strasburgut",- tha kreu i organizatës së punonjësve të policisë në lirim, Besnik Bakiu.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›