E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ shtyn me një ditë afatin e regjistrimit të listave

Për shkak se muaji maj është me 31 ditë, afati i regjistrimit të kandidatëve përfundon me datën 19 maj


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka dhënë dhe një ditë kohë partive politike për të paraqitur listat e tyre të kandidatëve për deputetë për në Kuvendin e Shqipërisë.


Nuk bëhet fjalë për një vendim të këtij komisioni, por vetëm për një përllogaritje që administrata e këtij institucioni u ka bërë afateve ligjore që përcakton ligji zgjedhor për kryerjen e kësaj procedure.


Duke iu referuar pikërisht nenit 67 të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja ka arritur në përfundimin se afati i fundit prej 40 ditësh nga data e zgjedhjeve që u është lënë partive politike për të paraqitur listat e kandidatëve, përfundon në orën 16 të datës 19 maj dhe jo më datë 18, siç edhe ishte përfolur më parë.


Kjo pasi, muaji maj është me 31 ditë dhe data 19 maj shënon pikërisht afatin e fundit të përcaktuar në kod për kryerjen e kësaj procedure.


Referuar po këtij neni, rezulton se një kandidat për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore ose kandidati për këshillat e bashkisë dhe komunës, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.


Bëjnë përjashtim nga ky rregull kryetarët e partive politike që konkurrojnë veçmas apo si pjesëtarë të një koalicioni, të cilët mund të kandidojnë në një apo më shumë zona zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend.


Emrat në listën e partisë paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një.


Numri i kandidatëve në listën shumemërore të një partie të regjistruar si subjekt zgjedhor më vete ose e partive të koalicionit në tërësi, nuk duhet të jetë më i vogël sesa numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse.


Për partitë pjesëtare të koalicionit, numri i kandidatëve për partinë nuk duhet të jetë më i vogël sesa gjysma e mandateve që zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse.


Për listat shumemërore për këshillat e bashkisë dhe komunës, zbatohet i njëjti rregull. Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore, duhet t'i përkasë secilës gjini.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›