E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e përbashkët e Kryeministrit Berisha me Kryeministrin e Republikës Arabe të Egjiptit, Ahmed Nazif

Kryeministri Berisha:  Z. Kryeministër, faleminderit për fjalët e ngrohta dhe për ftesën që më keni bërë për të vizituar këtë vend miqësor. Kam ardhur këtu me qëllim   intensifikimin e marrëdhënieve të gjithanshme, pasi marrëdhëniet politike janë shumë miqësore. Ne kemi vendosur marrëdhënie historike shumë të vlefshme mes dy kombeve tona.

Ne i jemi mirënjohës qeverisë egjiptiane për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në të gjithë këto vite. Më shumë  se 1600 specialistë shqiptarë nga të gjitha fushat përfituan bursa nga Fondi i Zhvillimit i qeverisë egjiptiane dhe erdhën këtu për trajnim.

Unë besoj se Shqipëria ka shumë poteniale dhe të dyja vendet ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për investitorët. Nisur nga ky fakt, në takimet e këtyre ditëve sikundër dhe sot në takimin me Kryeministrin Nazifi, u diskutua për rinovimin e të gjithë kuadrit ligjor me qëllim që marrëdhëniet ekonomike të arrijnë në nivele shumë të mira, sikurse janë edhe marrëdhëniet politike.

Shqipëria po bën përpjekje të jashtëzakonshme për t`u shndërruar në një vend shumë tërheqës për investimet e huaja. Më lejoni t’ju informoj se Shqipëria ka barrën fiskale më të ulët në Europë, ka vendosur aplikimin e taksës së sheshtë në nivelin 10 % dhe ka koston më të ulët të prodhimit në Europë, me një treg pune të ri, të kualifikuar dhe shumë dinamik. Iniciativa “Shqipëria një euro” , e cila është një iniciativë e ndërmarrë nga qeveria që unë drejtoj, po shërben për ta bërë vendin edhe më tërheqës. Kontraktorët dhe investitorët mund të marrin tokën për qëllime industriale, bujqësore apo turistike me një euro. Gjithashtu ata mund të përdorin ujin teknologjik me një euro si dhe mjaft lehtësira të  tjera për një euro.

Investitorët egjiptianë, pavarësisht se e shikojnë Shqipërinë në hartë si një vend të vogël, nuk duhet të harrojnë se vërtet Shqipëria është një vend i vogël, por ajo është  e pozicionuar në një treg shumë të madh, tregun evropian, i cili përbën një avantazh shumë të madh për të.  

Në takimet që zhvillova me Kryeministrin z. Nazifi, me Ministrin e Jashtëm Z. Ahmed Abdul Geit dhe me Presidentin Mubarak ne patëm një bisedë të gjatë për rajonin e Ballkanit dhe marrëdhëniet multilaterale. Rajoni i Ballkanit u përball me një krizë të tmerrshme që u karakterizua nga luftëra, gjenocide, spastrime etnike, të ngjashme me ato të Afrikës Lindore.

Shqiptarët e Kosovës iu nënshtruan mizorive më të egra. Tani është çështja e zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe Serbia po bllokon procesin, duke refuzuar paketën Ahtisaari, e cila është zgjidhja më e mirë sepse siguron dhe garanton të drejta të standardeve të larta për minoritetet dhe gjithashtu respekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës për pavarësi.

Shqipëria mbështet plotësisht pavarësinë e Kosovës si zgjidhja e vetme që do të sjellë paqe dhe stabilitet. Një shekull më parë ndarja e thellë krijoi dy realitete shqiptare të ndryshme, një në Tiranë dhe një tjetër në Prishtinë. Në Prishtinë përpjekjet ishin për pavarësi dhe populli i Kosovës luftoi dhe votoi për këtë ndaj ai është i vendosur për shtetin e pavarur. Kjo është arsyeja për të cilën ne nuk shohim zgjidhje tjetër dhe  konsiderojmë pavarësinë e Kosovës jetike për stabilitetin e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit të Ballkanit.
 
Serbia ende po vuan nga fantazma e Serbisë së Madhe. Ky vend duhet të ketë të njëjtën të ardhme si fqinjët e saj. Gjatë 15 viteve të fundit asnjë vend nuk e ka sulmuar Serbinë, por serbët kanë sulmuar fqinjët e tyre. Tani ata po mbajnë peng paqen, duke refuzuar paketën Ahtisaari. Mendoj se është edhe në interesin e Serbisë ta pranojë këtë projekt dhe të shikojë drejt së ardhmes. E ardhmja duhet të jetë shumë e ndryshme nga e kaluara e hidhur. 

Ndihma e Egjiptit dhe e gjithë Konferencës Islamike është shumë e rëndësishme. Presidenti Mubarak më pyeti se përse unë isha kaq  interesuar për këtë çështje. Dhe unë i dhashë vetëm një përgjigje, sepse ne jemi të interesuar për paqen dhe përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës është thelbësor për paqen në të gjithë rajonin.
 
Ne gjithashtu diskutuam rreth bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare shumëpalëshe.

 Unë e ftova Kryeministrin Nazif të vizitojë Shqipërinë. Ai më premtoi, dhe unë do të jem shumë i lumtur ta pres atë sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjithashtu mësova për rrënjët  e origjinës shqiptare të Kryetarit të Parlamentit, dhe jam shumë i lumtur për këtë.

Kryeministri i Egjiptit, Z.Nazif:  Me Kryeministrin Berisha ne ndajmë të njëjtin mendim dhe vlerësojmë përpjekjet për paqen.  Të drejtat e popullit të Kosovës duhet të respektohen, por gjithashtu kjo çështje duhet të zgjidhet me një konsensus ndërkombëtar, për të evituar luftëra dhe konflikte të mëtejshme. Ne ndajmë të njëjtin qëndrim edhe për paqen dhe do të punojmë me Shqipërinë dhe vendet e tjera për të ndihmuar në këtë çështje, e cila po diskutohet edhe në Kombet e Bashkuara.

Zoti Kryeministër, cilat janë fushat në të cilat mund të bashkëpunojnë Shqipëria dhe Egjipti ?

Kryeministri Berisha:  Ka potenciale të jashtëzakonshme për bashkëpunim në fushën e energjisë. Shqipëria është një vend me burime të mëdha hidrike. Kompani të mëdha evropiane dhe ndërkombëtare janë të interesuara për ndërtimin e hidrocentraleve. Ne gjithashtu po përpiqemi të balancojmë prodhimin e energjisë duke nxitur sa më shumë që të jetë e mundur prodhimin termo. Projekte të mëdha janë në vazhdim. Ne jemi në kërkim të burimeve të tjera të energjisë, por jemi po kaq të hapur për energjinë bërthamore si burimi me kosto më të ulët dhe me pastërti më të lartë për ambientin. Vendi im po përjeton mungesë të energjisë elektrike dhe ne po përpiqemi t`i zgjidhim përfundimisht nevojat që kemi për energji.

Turizmi është një sektor tjetër ku dy vendet tona mund të bashkëpunojnë. Shqipëria ka një bregdet 400 kilometër  dhe në të njëjtën kohë është vendi më malor në Europë ndaj ka një perspektivë të jashtëzakonshme për turizmin malor në dimër.

Shqipëria është e pasur dhe në minerale me depozita të mëdha  në krom, nikel, dyokside dhe bakër,  të cilat kanë kuotat më të larta në treg.

Gjithashtu industria tekstile është shumë fitimprurëse. Disa kompani janë larguar nga Kina për të ardhur në Shqipëri, sepse tregu është shumë i favorshëm dhe për këtë mendoj se investimi në Shqipëri ka avantazhe të mëdha. në këtë fushë.   

Vitin e kaluar u hap një panair me mallra egjiptiane në Tiranë,  i cili solli  një kontribut të madh në bashkëpunimin midis dy vendeve tona. Një tjetër panair  do të mbahet vitin e ardhshëm dhe për këtë media do të luajë rolin e saj në promovimin e tij. 
           

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›