Kryeministri Berisha dhe Presidenti Mubarak diskutojnë bashkëpunimin mes dy vendeve
Kryeministri Berisha u prit sot në Kajro nga Presidenti i Egjiptit Hosni Mubarak, i cili Kryeministri Berisha dhe Presidenti Mubarak ndanë të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy vendeve.
Në takim, Kryeministri Berisha kërkoi mbështetjen e Egjiptit për çështjen e Kosovës. Kryeministri bëri një rezyme të situatës në Kosovë dhe theksoi se zgjidhja e çështjes së Kosovës është vendimtare për sigurinë dhe paqen në rajon. Popullsia e Kosovës, tha Kryeministri, është e përbërë në masën 70 për qind nga të rinj, shumica e të cilëve është e papunë, pasi nuk investohet për shkak të paqartësisë së statusit.
Presidenti Mubarak i premtoi Kryeministrit Berisha që do të bëjë ç'është e mundur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në mënyrë që të ketë paqe në rajon.
Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, Kryeministri Berisha falënderoi Presidentin Mubarak për kontributin që Egjipti ka dhënë në fushën e trajnimit të specialistëve shqiptarë, ku deri më sot në Egjipt janë trajnuar mbi 1600 specialistë në fusha të ndryshme si drejtësi, gazetari, banka, turizëm etj.. Duke vlerësuar faktin se midis dy vendeve janë nënshkruar 14 marrëveshje bashkëpunimi, Kryeministri tha se kjo përbën një bazë të mirë ligjore për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi dhe për të çuar më tej marrëdhëniet. Të dyja palët shprehën gatishmërinë të ndërmarrin të gjitha hapat e mundshëm për ta përforcuar këtë bazë ligjore. Kryeministri Berisha shprehu angazhimin për të rinovuar marrëveshjen tregtare mes dy vendeve dhe heqjen e tarifave doganore.
Më tej, Kryeministri Berisha bëri edhe një prezantim të reformave në vend, veçanërisht ato ekonomike si uljen e taksave, masat e ndërmarra për krijimin e lehtësirave për biznesin, krijimin e një mjedisi të favorshëm për investimet, dixhitalizimin e procedurave etj..
Gjithashtu Kryeministri Berisha kërkoi mbështetjen e Egjiptit për projektin e gazsjellësit Transadriatik, për të cilën Presidenti Mubarak tha se do të bëjë përpjekje për të ndihmuar Shqipërinë në këtë çështje.
Kryeministri Berisha ftoi Presidentin Mubarak për të vizituar Shqipërinë.