Kryeministri Berisha në takimin me Kryeministrin egjiptian: Shqipëria klimë optimale për investime
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Kryeministrin e Egjiptit, zotin Ahmed Nazif.
Të dy homologët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe shprehën vullnetin për zgjerimin e tyre në të ardhmen.Në këtë kontekst, Kryeministri egjiptian e vlerësoi vizitën e Kryeministrit Berisha si një hap të rëndësishëm për thellimin e këtyre marrëdhënieve.
Zoti Nazif u shpreh i kënaqur nga vizita e grupit të biznesmenëve që shoqëruan Kryeministrin në Egjipt, duke theksuar se shkëmbimet e ndërsjella, duhet të intensifikohen në të ardhmen, pasi ato konsolidojnë dhe forcojnë marrëdhëniet tregtare mes palëve.
Gjithashtu, Kryeministri egjiptian vlerësoi përpjekjet dhe masat e ndërrmarra nga qeveria shqiptare për krijimin e një klime të përshtatshme për investimet e huaja dhe shprehu interesin për të investuar në industrinë tekstile, bujqësi, etj.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha vlerësoi potencialet e larta për bashkëpunim mes palëve, në të gjitha fushat, si dhe siguroi për angazhimin në përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit, për të cilin Kryeministri Berisha u shpreh se është një kërcënim global.
Më pas, Kryeministri bëri një ekspoze të ecurisë së reformave të ndërrmarra nga qeveria në shumë fusha, si në ekonomi, drejtësi, shëndetësi, etj. Duke u ndalur në përpjekjet për përmirësimin e klimës ndaj biznesit, kryeministri e njohu zotin Ahmet me politikat e reja të uljes së taksave, zbatimin e nismës “Shqipëria 1 euro”, në shumë procedura, dixhitalizimin e shumë proceseve të rëndësishme, etj. Kryeministri e njohu gjithashtu bashkëbiseduesin me potencialet e mëdha që ka Shqipëria në turizëm, si dhe në pasuri minerale, të cilat kanë ngjallur gjithnjë intresin për investime. Ndër të tjera, kryeministri Berisha siguroi se Shqipëria do të jetë e hapur ndaj investimeve të huaja, duke krijuar kushtet sa më optimale për to. Në këtë kuadër, kryeministri shprehu dëshirën që “Egjipt Air”, të hapë një linjë direkte fluturimi me Shqipërinë.
Për sa i përket çështjes së Kosovës, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që mori prej presidentit Mubarak mbështetjen për zgjidhjen e kësaj çështje në favor të paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.
Kryeministri Berisha ftoi Kryeministrin Nazif për një vizitë në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.