Ministri egjiptian i Tregtisë dhe Industrisë Muhamed Rashid: Jemi të impresionuar me reformat në Shqipëri
Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me ministrin e Industrisë dhe Tregtisë Muhamed Rashid, i cili e falënderoi Kryeministrin për këtë vizitë, duke theksuar se vendet tona kanë lidhje historike dhe gjeografike që nga fillimi i marrëdhënieve të tyre. Ministri Rashid vlerësoi se vizita e Kryeministrit në Egjipt është një mundësi më shumë që marrëdhëniet mes dy vendeve të zhvillohen më tej.
Ministri Rashid i shprehu Kryeministrit vlerësimet për politikat e qeverisë shqiptare për reforma dhe veçanërisht masat e ndërmarra për tërheqjen e investimeve. Reformat tuaja janë mbresëlënëse, tha ministri Rashid, duke shprehur interesin për rritjen e prezencës së biznesit egjiptian në Shqipëri.
Kryeministri Berisha tha se mes dy vendeve ka një bazë të fortë ligjore për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik në të ardhmen. Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi që dy vendet të konsiderojnë çdo hap ligjor për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike. Duke bërë një paraqitje të reformave të ndërmarra, Kryeministri u shpreh se Shqipëria është vend i përshtatshëm për investime. Reformat që ne kemi ndërmarrë, theksoi Kryeministri, si ulja e taksave, vendosja e taksës së sheshtë 10 për qind, ulja e kontributeve të sigurimeve shoqërore, kostoja e ulët e prodhimit për manifakturën “Made in Europe”, pasi Shqipëria është në Europë, tregu i punës shumë i ri dhe dinamik, taksat më të ulëta dhe çmimi i energjisë më i ulët në Europë, si dhe potencialet e shumta e bëjnë Shqipërinë një vend shumë të lakmueshëm për investime. Gjithashtu Kryeministri vuri theksin edhe në potencialet që Shqipëria ofron në turizëm, me një bregdet prej 400 km që duhet zhvilluar, në pasuritë minerare dhe të ujërave. “Të investosh në Shqipëri është një histori suksesi”, u shpreh Kryeministri.
Duke shprehur kënaqësinë për organizimin vitin e kaluar, në Shqipëri, të panairit të produkteve egjiptiane, ministri Rashid tha se vitin e ardhshëm do të hapet panairi i dytë i biznesit egjiptian. Ai e falënderoi Kryeministrin që në këtë vizitë u shoqërua nga një grup biznesmenësh shqiptarë, duke e konsideruar të rëndësishme shpeshtimin e kontakteve të tilla të ndërsjella mes biznesit të të dy vendeve.